Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Beteja e Lumir Abdixhiku-t për ta “fituar” historinë ndërkombëtare të LDK-së

Beteja e Lumir Abdixhiku-t për ta “fituar” historinë ndërkombëtare të LDK-së

Shkruan: Afrim Kasolli

Kohët e fundit kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është dalluar me organizmin e disa konferencave apo ngjarjeve të këtij karakteri, me të ftuar në masë të madhe me personalitete ndërkombëtare. Në këto evente po dominojnë kryesisht tema të karakterit historik dhe që kanë për motiv rilegjitimimin e meritave për ish-presidentin Rugova. Mirëpo, asnjë ngjarje, sado që të jetë e largët dhe historike, nuk është pa implikime politike për të tashmen dhe të ardhmen. Dhe atë veçanërisht kur është fjala për raportin elektoral të LDK-së me themeluesin e këtij subjekti politik.

Kështu, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, nën patronatin e tij u organizua konferenca “Rugova dhe Perëndimi”, me të ftuar të ndryshëm, në mesin e të cilëve edhe ish-kryeministri i Italisë, gjatë bombardimeve të NATO-së, Massimo D’Alema dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ftesa e këtij të fundit nuk u pritë mirë të një pjesë e politikanëve veteranë të kësaj partie.

Mirëpo, në fjalën e tij për figurën e ish-presidentit Rugova, i pari i Qeverisë shqiptare deklaroi, se “ai e ka shënuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme. Rugova, ishte akti themelues i Kosovës të lirë të pavarur dhe demokratike…. Pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme që jeta krijon dhe lë pas: personalitetin. Pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës sepse pa luftën që e filloi me paqe s’do të ishte arritur kurrë paqja e fituar në luftë”. Megjithëse ishte i njëjti lider që në fjalimin e parë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës në vitin 2013, nuk e kishte përmendur fare emrin e ish presidentit. Mbase ajo ishte kohë tjetër. Në ato vite në krye të Qeverisë së Kosovës ishte miku i tij Hashim Thaçi, dhe në këtë mënyrë Edi Rama qe përkujdesur që krejt meritat historike për çlirimin e Kosovës t’ia atribuonte atyre që kishin qenë të lidhur drejtpërdrejt me luftën e armatosur.

Sidoqoftë, në këtë konferencë nuk shkoi çdo gjë ashtu siç ishte “planifikuar” për shkak të një deklarate të ish-kryeministrit të Italisë, Massimo D’Alema, i cili pohoi se shqetësimi i diplomatëve perëndimorë në atë kohë ishte se “Rugova do të dilte kundër bombardimeve të NATO-së”.

Mirëpo, pa kaluar asnjë muaji nga ky konstatim i “çuditshëm” i politikanit veteran italian, ky “imazh i lënduar” për ish-liderin e LDK-së, u restaurua nëpërmjet gjeneralit amerikan në pension, Wesly Clark, i cili edhe kishte drejtuar fushatën e bombardimeve të NATO-së, kundër caqeve ushtruake dhe paramilitare të ish-federatës Jugosllave.

Me rastin e nderimit me dekoratën “Ibrahim Rugova”, gjatë fjalës së rastit ai pohoi se “se arsyeja se pse NATO- kishte pasur sukses në Kosovë, por jo në Libi, Afganistan dhe Irak, ka të bëjë me faktin se në Kosovë ky sukses quhet LDK”. Një pohim i tillë pa dyshim se u mirëprit nga zyrtarët e këtij subjekti politik. Kryetari i saj e shpërndau në rrjetin e tij social si konfirmim më në fund i “drejtësisë historike”.

Gjithsesi, arsyet se pse intervenimi i NATO-së ka pasur sukses në Kosovë dhe jo në vende tjera, është një debat i gjerë historik, politik dhe akademik. Dhe jam i bindur se gjenerali Clark i njeh në detaje këto hollësi.

Por, një gjë nuk mund të mohet, ai ka të bëjë me natyrën krejtësisht të veçantë të rastit të Kosovës në dallim me shtetet e sipër cekura. Se ky intervenim ishte sui generis, sot e mbron edhe Perëndimi kundër pretendimeve të presidentit rus Vladimir Putin në Gjeorgji dhe Ukrainë.

Kështu në rastin e Afganistanit SHBA-të, së bashku me aleatet, intervenuan për çmontimin e regjimit të Talebaneve, pasi i njëjti ishte shndërruar në strehë të sigurt, për gupe terroriste si Al-Kaida. Detyrimi për të intervenuar në këtë shtet u bë domosdoshmëri pas sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, disa nga arsyet se pse ky grup fundamentalist ia doli që të rikthet përsëri në krye të atij shteti, pas 20 vite, e kam trajtuar përciptazi në shkrimin “Mungesa” e Ukshin Hotit në Afganistan.

Siç dihet, Forcat e Sigurisë Kombëtare të Afganistanit, të njohura ndryshe si (ANDSF), u shembën si kullë prej rëre. Edhe pse teorikisht sipas Michael McKinley, ish-ambasador i Uashingtonit në Afganistan, ato ishin shumë më mirë të organizuara dhe të pajisura si numerikisht ashtu edhe ushtarakisht se sa oponentët e tyre. Madje deri para pak kohe se të kolapsonte ushtria zyrtare afgane konsiderohej si më mira në regjion. Ndërkohë, për Vanda Feldab-Brown, në artikullin “Why the Taliban Won” të botuar në atë kohë në Foregin Affairs, për këtë përmbysje sizmike, ka shkruar se ka të bëjë edhe me bindjet e gabuara që klasa politike në Kabul i kishte sendërgjuar ndër vite. Ata shpresonin se SHBA-të nuk do të tërhiqeshin kurrë nga Afganistani. Të pushtuar nga ky fodullëk, i injoruan sinjalet e vazhdueshme të tri administratave amerikane: asaj të Obamës, Trumpit dhe Bidenit se intenca e Uashingtonit mbetet largimi sa më i shpejtë nga territori afgan dhe se është detyrë e drejtueseve të vendit që të marrin në dorë fatet e vendit. Liderët e Kabulit jetonin me iluzionin se të gjitha këto mesazhe ishin vetëm kërcënime boshe, duke marrë parasysh rëndësinë gjeopolitike që e gëzon rajoni.

Kurse në rastin e Irakut ky intervenim kishte ndodhur nën pretendimin për të asgjësuar armët biologjike të shkatërrimit në masë, që thuhej se i posedonte regjimi i Saddam Hussein-i. Megjithëse të tilla nuk u gjetën. Madje pushtimi i Irakut nga ish-administrata Bush, nuk kishte kaluar pa pasoja në raportet trans-atlantike. Këto krisje filozofi i njohur gjerman, Jurgen Habermas i kishte quajtur si simptoma të “Perëndimit të përçarë”, për dallim prej rastit të Kosovës, ku kjo botë kishte qenë unike, në favor të intervenimit me qëllim shmangien e krizës humanitare.

Powered by WordPress