Prezenca e Shqipërisë, Kroacisë dhe Serbisë në një kompeticion madhor ka prodhuar sjellje jo të mira nga tifozët dhe ka shkaktuar kokëdhimbje për UEFA-n.
Përveç 24 kombëtareve që janë në “EURO 2024”, UEFA-s i doli punë edhe me dy Federata të tjera shtesë: atë të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Dy federatat u ankuan në UEFA pasi dy vendet respektive u degraduan në shkallët e stadiumeve në Gjermani, shkruan “The Guardian”, përcjellë “Gazeta Express”.
Shqipëria, Kroacia e Serbia asnjëherë më parë s’janë paraqitur së bashku në një turne madhor. Mirëpo, shtatë ditët e fundit kanë bërë që këto shtetet e Ballkanit të shkaktojnë punë shumë UEFA-s, duke u marrë me ankesa e çka jo tjetër.
Federata e Futbollit e Serbisë madje kishte kërcënuar se do të tërhiqet nga “EURO 2024”, në rast se nuk dënohet Shqipëria e Kroacia për “thirrjet raciste”.
UEFA po e heton rastin e 19 qershorit, kur dy tifozëritë dyshohet se kanë kënduar së bashku “Vrite, vrite serbin”.
Kjo nuk ishte ankesa e vetme e Serbisë. Ata dërguan ankesë, së bashku me Federatën e Maqedonisë së Veriut, edhe për Mirlind Dakun.
Daku pas ndeshjes me Kroacinë, mori një megafon dhe këndoi: “Q****a serbët dhe maqedonët”.
Për këtë, Daku ka kërkuar falje, por dënimi nuk do të mungojë, madje edhe nga klubi i tij, Rubin Kazan.
Dy ditë para rastit në fjalë, ankesë në UEFA dërgoi edhe Federata e Futbollit e Kosovës.
FFK-ja u ankua për flamujt e paraqitur në ndeshjet Serbi – Angli dhe Slloveni – Serbi, në të cilët shkruhej “S’ka dorëzim” dhe “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
“The Guardian” shkruan edhe për Arlind Sadikun, për të cilin thotë se marrja e akreditimit të tij është e pakuptimtë.
UEFA do të vazhdojë me dënime, ndaj Serbisë, Shqipërisë dhe Kroacisë për sjelljet e tifozëve nëpër tribuna, me shpresën që turneu në vazhdim të mbetet paqësor.