Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon përgatitjet para ndeshjes ndaj Spanjës

Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon përgatitjet para ndeshjes ndaj Spanjës

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar këtë të shtunë seancën e radhës stërvitore në kampin bazë kuqezi Kaiserau, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e tretë të grupit ndaj Spanjës në ‘Euro 2024’.

I gjithë grupi kuqezi u stërvit i plotë nën urdhrat e trajnerit Sylvinho dhe stafit teknik, teksa vetëm mbrojtësi Enea Mihaj u stërvit veçmas për shkak të lodhjes muskulore. Gjithsesi, mbrojtësi do të stërvitet me grupin nesër dhe do të jetë në dispozicion për ndeshjen me Spanjën.

Sakaq, kuqezinjtë do të zhvillojnë nesër (e diel) seancën zyrtare stërvitore para ndeshjes po në Kaiserau, duke nisur nga ora 15:30, ndërkohë që konferenca zyrtare e trajnerit Sylvinho dhe kapitenit Berat Gjimishiti, do të zhvillohet në stadiumin e ndeshjes, në Dyseldorf në ora 18:45.

Ndeshja e tretë e Grupit B të Euro 2024, Shqipëri-Spanjë do të luhet më datë 24 qershor në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” të Dyseldorfit duke nisur nga ora 21:00.

Powered by WordPress