Universitetet publike kanë zgjedhur 12 rektorët e rinj dhe organet e tjera drejtuese për katër vitet e ardhshme. Në universitetet më të mëdha të Tiranës nuk kishte garë e as surpriza për rezultatin e votimit. 5 kandidaturat që konkurronin të vetëm në këtë proces konfirmuan fitoren duke kaluar edhe pragun mbi 50% të votave, kusht për vlefshmërinë e zgjedhjeve në rastet kur nuk ka garë.
Kështu, universiteti më i madh i vendit, ai i Tiranës do të drejtohet edhe për një mandat tjetër nga Artan Hoxha. Pavarësisht akuzave nga shoqëria civile për plagjiaturë në temën e tij të doktoratës, profesori i drejtësisë ka marrë mbi 70% të votave të pedagogëve dhe studentëve. Universiteti Politeknik ka votuar zv.rektorin Akli Fundo për postin e rektorit të këtij institucioni.
Në Universitetin e Mjekësisë ish-Dekani Xheladin Dracini është zgjedhur, e po kështu edhe ne Universitetin Bujqësor e atë të sporteve. Rivaliteti i fortë ishte mes artisteve në universitetin e Arteve.
Me një diferencë të ngushtë votash Erlad Bakalli ka fituar ndaj Artan Peqinit për drejtimin e Institucionit. Ethet e garës u ndjenë në 4 universitetet e rretheve, në Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Durrës, ku kishte rivalitet të fortë dhe pjesëmarrje me 3 deri 4 kandidatura për çdo institucion.
Me diferenca të ngushta votash edhe këto institucione zgjodhën rektorët e rinj si dhe organet e tjera drejtuese të shkollave të larta. Në të gjitha universitetet u vu re pjesëmarrje e ulët për shkak dhe të sezonit të provimeve. Ndryshe nga pedagogët, vota studentore zë vetëm 10% të totalit të tyre.