Xavi Simons pritet të mbetet në Bundesliga, por jo te RB Leipzig.
Mesfushori holandez ishte i huazuar te Leipzig nga Paris Saint Germain dhe ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij në elitën e futbollit gjerman.
21-vjeçari në 43 ndeshje zyrtare ka shënuar 10 gola dhe ka asistuar në 15 të tjerë duke zgjuar interesimin e top klubeve evropiane.
Gazetari gjerman Florian Plettenberg nga Sky Sports ka raportuar se tanimë Bayern Munich dhe PSG janë në bisedime të avancuara për Simons.
Bavarezët po kërkojnë huazimin e holandezit për një sezon me detyrim blerje në qershor të viti 2025 për një shumë rreth 70 milionë euro.
Rekordmenët gjermanë tanimë janë skuadra favorite për t’i siguruar shërbimet e Xavi Simons i cili ka filluar shkëlqimin edhe me Holandën në Euro 2024.
Kjo është një goditje për Barcelonën që filluan të ëndërronin ta rikthenin në Camp Nou lojtarin që dikur e kishin në Akademinë ‘La Masia’.