Dje Salem Lepaja, ish-profesor i njohur i Universitetit të Prishtinës, dha dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Në një shkrim të shkurtër, ish-profesori i kryeministrit Albin Kurtit, njoftoi se nuk është më pjesë e VV-së, por duke mos treguar arsyet e dorëheqjes.
“Të nderuar miq të FB!
Ju njoftoj se nuk jam më anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Salemi” – shkroi dje shkurtimisht Lepaja në profiling e tij në Facebook.
Megjithatë, kjo nuk është dorëheqja e parë nga VV-ja që kur Kurti erdhi në pushtet. Përveç dorëheqjes së profesorit të Kurtit, nga VV-ja janë dorëhequr edhe dy deputetë të kësaj partie, që fituan besimin e popullit më 14 shkurt të vitit 2021.
Dorëheqja më e bujshme në këto tri vite e pak muaj që kur VV-ja erdhi në pushtet ishte pa fije dyshimi ajo e Haki Abazit, dikur zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti 1. Abazi u nda nga grupi parlamentar i VV-së, duke nisur një mal me kritika ndaj Qeverisë Kurti II. Madje, Abazi e kritikoi edhe Dejona Mihalin, koordinatore e Komiteve në LVV, të cilën e quajti “mashë të Kurtit”.
Përveç deputetit Abazi, edhe një deputet tjetër i VV-së u nda nga grupi parlamentar i partisë në pushtet. Fjala është për Fatmir Humollin, i cili, bash sikurse Abazi, ka pasur shumë kritika ndaj VV-së.
Një tjetër dorëheqje, më pak e bujshme, ishte ajo e Nderim Ibrahimit, ish-kryetar i pikës së Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër. Në letrën e dorëheqjes, Ibrahimi kishte pasur shumë akuza në drejtim të VV-së.
“Nga sot e tutje largohem edhe si aktivist i Lëvizjes dhe mbetem vetëm simpatizant i saj, pasi që nuk dua të jem në mesin e disa profiterëve të cilët çdo ditë e më shumë po dëshmojnë se të njëjtit janë në gjendje të shkelin edhe nëpër kufoma, vetëm e vetëm për t’i arritur qëllimet e veta dhe për t’i plotësuar egot e tyre të sëmura” – kishte shkruar Ibrahimi.
Nga VV-ja gjatë këtyre tri viteve në pushtet ka dhënë dorëheqje edhe Erzen Isma, njëri prej themeluesve të degës së VV-së në Rahovec. Në një letër publike, Isma kishte dhënë aryset e dorëheqjes së tij, duke numëruar disa pakënaqësi.
“Unë, Erzen Isma si anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2006 njëherit edhe themelues i degës në Rahovec që nga viti 2010, jap dorëheqje nga të gjitha funksionet e kësaj lëvizje që i kam si nga anëtar i grupit punues po ashtu edhe si anëtar i Lëvizjes për të vetmen arsye: duke e parë që qyteti im po diskriminohet nga Lëvizja pasi që ne si Vreshtarë dhe si bujq nuk jemi pjesë dhe nuk e përbëjmë bujqësinë, nuk mund të qëndroj i heshtur përballë kësaj padrejtësie!” – kishte shkruar ai.
Dorëheqje nga VV-ja kishte dhënë edhe Shkëlqim Xhafa, një aktivist i moçëm i VV-së.
“As ne enderr nuk e kom mendu qe pushteti i Albin Kurtit eshte me i zi se Hashimit, Ramushit e Ises. Sa fanatik i idealit te levizjes kam qene, besom kurr se kom mendu qe me ardhjen e Vetvendosjes ne pushtet” – kishte shkruar Xhafa në Facebook.