Janë arrestuar babai, vëllai dhe i fejuari i një 29-vjeçare në Vlorë, të cilët dyshohen se e sulmuan fizikisht viktimën për motive të dobëta.
Policia e Shtetit bën me dije se gjatë kontrollit në shtëpinë e babait të viktimës, janë gjetur dhe sekuestruar sekuestroi një armë gjahu dhe municion luftarak, njofton Klankosova.tv.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se një 29-vjeçare ishte dhunuar nga familjarët e saj, për motive të dobëta, në banesë, kanë ndërhyrë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës. Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar shtetasit: A. B., 60 vjeç (babai), E. B., 26 vjeç (vëllai) dhe A. J., 34 vjeç (i fejuari). Nga veprimet hetimore dyshohet se për motive të dobëta, këta shtetas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 29-vjeçares, e cila është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. B., Policia gjeti dhe sekuestroi një armë gjahu dhe municion luftarak”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.