Avokati i Popullit ka thënë që kjo ka bërë që të mos përmbushet në mënyrë të plotë kushti ligjor për ta bërë të ditur qëllimin e ligjshëm publik.
Tutje ai ka vënë në dukje “obligimin pozitiv të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve në drejtim të qartësimit të qëllimit legjitim dhe interesit publik, në mënyrë që ndërhyrja në pronat e pronarëve, për qëllimet e shpronësimit të jenë të qarta, të dukshme dhe të lejueshme”.
“Përveç argumentit të theksuar më sipër, Avokati i Popullit ka vërejtur se Qeveria dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) kanë zhvilluar veprimet e tjera procedurale lidhur me çështjen e shpronësimit në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok, duke nxjerrë vendime për shpalljen e atyre zonave me interes të veçantë, miratimin e vendimeve të tjera përcjellëse, mbajtjen e dëgjimeve publike dhe nxjerrjen e vendimit preliminar dhe përfundimtar, veprime këto të bazuara në Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme”, ka shkruar institucioni i Avokatit të Popullit në “Facebook”.
Meqë për këtë çështje ka procedurë gjyqësore, Avokati i Popullit ka thënë se nuk është lëshuar në vlerësim meritor, por “i paraqet vetëm pikëpamjet e tij në vështrim të mbrojtjes së të drejtës së pronës, si e drejtë e njeriut e garantuar me Kushtetutën e Republikën e Kosovës”.
Opinioni i Avokatit të Popullit ka ardhur pas ankesave të qytetarëve të Leposaviqit dhe Zubin-Potokut, të cilët janë ankuar për mënyrën se si është zhvilluar ky proces.
Shtetet e QUINT-it, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja patën kritikuar Qeverinë për vendimin për të finalizuar shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri.
Më 30 maj, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim përfundimtar për shpronësimin e këtyre parcelave në Leposaviq e Zubin-Potok. Patën thënë se shpronësimi në interes publik i disa pronave në Leposaviq dhe në Zubin-Potok, me qëllim të realizimit të disa projekteve infrastrukturore, është në pajtueshmëri me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Kosovës. Procesin e shpronësimit në Leposaviq e Zubin-Potok, Qeveria e pati nisur në mes të janarit të 2023-s, kur disa toka në këto komuna i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik – të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.
Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin-Potok. Por, në vendimin përfundimtar të Qeverisë thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë apo tetë hektarë më pak.
Gjykata Themelore në Prishtinë e pati refuzuar shumicën e padive të qytetarëve serbë, të cilët kanë paditur Qeverinë e Kosovës dhe kanë kërkuar që të “vërtetohet se nuk ekziston interes i veçantë publik për pasuritë e paluajtshme të paditësve”.