Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka uruar ekipin kombëtar ukrainas për fitoren kundër Sllovakisë në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, duke e krahasuar atë me përpjekjet e vendit në luftë kundër Rusisë.
“Ne i besojmë njëri-tjetrit! E mbështesim njëri-tjetrin! Luftojmë për njëri-tjetrin! Kjo duhet të na bashkojë secilin prej nesh. Dhe, tani secili prej nesh duhet të luftojë: për liri, jetë, dhe për perceptimin e saktë të Ukrainës në botë”, shkroi ai në Telegram.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi në shkurt të vitit 2022.
“Pikërisht këtë po e bën sot ekipi kombëtar i Ukrainës. Vazhdoni kështu, djem!” shtoi ai.
Ukraina e mposhti 2:1 Sllovakinë në ndeshjen e dytë të Grupit E të premten në Duseldorf.
Kjo ishte fitorja e parë e ukrainasve në Euro 2024, pas disfatës kundër Rumanisë në ndeshjen e parë.
Ajo tani ka 3 pikë në vendin e dytë në grup dhe përballet me Belgjikën në ndeshjen e fundit, në kërkim të kalimit në fazën tjetër të garës. Dy ekipet e para në grup kalojnë në rrethin e 16 të mirëve./REL