Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Hoxha merr lëvdata edhe në Spanjë, AS ia vendos epitetin “xhelati i Betisit”

Hoxha merr lëvdata edhe në Spanjë, AS ia vendos epitetin “xhelati i Betisit”

Shqiptari e pranon se është tifoz i Real Madridit. Në shkurt, një asistim i tij eliminoi Betisin nga Liga e Konferencës.

Gazeta spanjolle ‘AS’ i ka kushtuar vëmendje Arbër Hoxhës, sulmuesit të kombëtares shqiptare.

Hoxhën, prestigjiozja spanjolle e ka quajtur “Xhelati i Betisit”, për shkak të paraqitjes së tij që e eliminoi klubin spanjoll Real Betis nga garat evropiane sezonin që lamë pas.

‘AS’ e ka vënë theksin edhe te deklarata e Hoxhës të premten në konferencën për shtyp, në të cilën tregoi se është tifoz i Real Madridit.

“Kemi luajtur shumë mirë kundër Betisit në shkurt dhe e mbaj mend shumë mirë se si e eliminuam nga Liga e Konferencës. Le të shpresojmë se mund të luajmë një tjetër lojë të madhe dhe ta mundim Spanjën për të kaluar në fazën tjetër. Nëse mund të japë ndihmën time, perfekt”, tha futbollisti.

Hoxha dha pasimin për 1-1 në stadiumin Maksimir të Zagrebit i cili ishte thelbësor që kroatët të kalojnë në fazën e 16-të të kompeticionit të tretë europian dhe ta eliminonin Betisin.

25 vjeçari mbërriti te Dinamo janarin e kaluar pasi shkëlqeu për skuadrën kroate Slaven Belupo. “Lojtarët e mi të preferuar në Spanjë janë Rodri dhe Nico Williams”, tha futbollisti, i cili shkëlqeu në Euro dhe për të cilin tashmë kanë shfaqur interes disa klube në Evropë.

Powered by WordPress