Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Shpëtim për kombin; merrte shënime”: Ç’thoshte profesori i Kurtit, që u largua nga VV-ja?

“Shpëtim për kombin; merrte shënime”: Ç’thoshte profesori i Kurtit, që u largua nga VV-ja?

Profesori Salem Lepaja, që dikur e kishte student Albin Kurtin, sot kryeministër i Kosovës, njoftoi të premten se nuk është më anëtar i partisë së ish-studentit të tij, Lëvizjes Vetëvendosje. Lepaja nuk e tregoi arsyen e largimit nga VV-ja, por para disa vjetëve kishte folur rreth tipareve të studentit të viteve të nëntëdhjeta që sot e njohim të gjithë. Ç’fjalë kishte profesori për Kurtin?

Në një intervistë për portalin “Telegrafi”, Lepaja për Kurtin thoshte: “Së pari, gjatë ligjëratave, koncentrohej shumë. Nuk bënte pyetje gjatë ligjëratave, por koncentrohej, merrte shënime, e pastaj, gjatë pushimeve, ose diskutonim në lidhje me temën e ditës, ose e shihsha me shokë të tij duke qeshur, gjithmonë i buzëqeshur, duke diskutuar për sport dhe, në veçanti, ka qenë i interesuar për basketboll.”

Më vonë, profesori tregoi se si në vitin 2015 ishte entuziazmuar nga një paraqitje televizive e Kurtit dhe kishte treguar se ende i ruante fletoret e ish-studentit të tij.

“Unë e kam pasë një postim diku në vitin 2015, ka qenë më 30 dhjetor. Derisa e shikojsha një program, në “Interaktiv”, ku ishte Albini mysafir, dhe aq shumë u entuziazmova nga qëndrimi i tij, nga shprehjet e tij, edhe e bana një postim. Në atë postim, mes tjerash pata thanë se ende i ruaj fletoret e Albinit. Thashë: i kam ruajtë fletoret, sepse kam menduar që po i ruaj fletoret e një shkencëtari të ardhshëm, e kurrë nuk më ka shku mendja që po i ruaj fletoret e një politikani të madh” – kishte thënë profesori Lepaja.

Në atë intervistë, profesori kishte fjalë të mëdha për Kurtin. “Është një njeri që e ka sakrifikue, do të thotë, veten në aspektin e profesionit, mirëpo i është orientu çështjes kombëtare, do të thotë është shpëtim për kombin” – kishte thënë Lepaja.

Porosia e tij për Kurtin para disa vjetëve ishte: “Ta shfrytëzojë kapacitetin që e ka, ashtu siç është duke e shfrytëzuar, por tash është në një pozitë me përgjegjësi të madhe, por në një pozitë më të volitshme, ku mundet të punojë dhe të kontribuojë më shumë, ta implementojë programin të cilin e ka prezantuar, të jetë i kujdesshëm, edhe për shëndetin e tij, natyrisht, por të jetë i kujdesshëm edhe me bashkëpunëtorë, të jetë vigjilent, ndërsa na të tjerët jemi n’shërbim të realizimit të programit të tij.”

Të premten e 21 qershorit, profesori Lepaja ishte më i shkurtër në fjalë dhe në rreshtat e tij s’kishte vend për ish-studentin Kurti: “Të nderuar miq të FB! Ju njoftoj se nuk jam më anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Salemi”