U bënë më shumë se një vit e Serbia vazhdon të mos ndëshkohet për sulmin më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka bërë thirrje Beogradit zyrtar për t’i sjell kryesit para drejtësisë, por presidenti Aleksandër Vuçiq, ende nuk ka reaguar.
E zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë për Tëvë1, se një shtet anëtar i BE-së, nuk ka pranuar të vendosen masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
“Ka një shtet të BE-së i cili ka stopuar, ka kërcënuar me veto mos vendosjen e masave ndaj Serbisë, nuk është punë apeli, është punë qëndrimi të një shteti, i cili thotë unë në asnjë rrethanë nuk do të lejoj vendosjen e masave ndaj Serbisë, vendimet në BE, merren me konsensus”, ka thënë Bislimi për Tëvë 1.
Politologët në vend, mendojnë se ky shteti i cili nuk ka pranuar që Serbia të sanksionohet, mund të jetë njëra nga pesëshja mos njohëse e Republikës së Kosovës.
“Apriori pasi që zëvendëskryeministri nuk e ka thanë emrin e shtetit mendoj se duhet të jetë njëri nga shtetet që është me qëndrim jo miqësor ndaj Kosovës në kuptimin e asaj që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Besoj që dy vendet sic janë, Gjermania dhe Franca, duhet të ushtrojnë më shumë presion te ky vend që ky qëndrim të ndryshon sa më shpejt, sepse rasti i Banjskës është një akt i hapur ndaj një shteti tjetër, nëpërmjet forcave të cilat janë sponsorizuar sic është Serbia”, ka thënë Selam Shkodra.
Qasje më rigoroze nga BE-ja, ndaj Serbisë, po kërkon politologu Fidan Ukaj.
Sipas tij, ndërrimi i qasjes ndaj këtij shteti, do të unifikonte edhe anëtarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të vendosur masa ndaj Serbisë.
“ Veprimet e Bashkimit Evropian, duhet të jenë më rigoroze duke e mbajtur përgjegjës Serbinë, poashtu duke vendosur edhe sanksione. Sic duket politika ledhatuese në adresë të Serbisë po merr fund, dhe do të filloi një politikë, një qasje tjetër ndaj Serbisë,shpresoj se ndërrimi i qasjes në raport me Serbinë, do të unifikon vendet e Bashkimit Evropian dhe mund të kemi sanksione ndaj Serbisë”, shprehet Ukaj.
Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, një grup paraushtarak serb me në krye Millan Radojiçiq, kryen sulm terrorist ndaj policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën dy polic.
Gjatë shkëmbimit me armë zjarri, mbetën të vrarë tre pjesëtarë të grupit të Radojiçiq. /Tëvë1