Është kthesë e veçantë politike që nisi armiqësinë e re mes Izraelit dhe Hezbollahut, ani pse asnjëra palë nuk përdori raketa, shkruan BBC.
Shkëmbimi i zjarrit, gjatë festës së Bajramit të Vogël, u zëvendësua me kërcënime të njëpasnjëshme që shpesh janë shteg drejt luftës.
Të mërkurën, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, kërcënoi se do të pushtonte pjesën veriore të Izraelit nëse shpërthen lufta e plotë me ushtrinë izraelite.
Ai gjithashtu ka thënë se Hezbollahu ka “armë të reja” që mund të shihen nëpër fusha, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Mirëpo ai ka shtuar se grupi nuk dëshiron luftë të plotë me Izraelin dhe përfshirjen e saj e sheh si përkrahje për Hamasin në Gaza.
Të martën, Hezbollahu ka publikuar pamjet me dronë të qytetit izraelit të Haifas, në pamje shihen edhe zona kyçe ushtarake. Kjo video është cilësuar si kërcënim i fshehtë për Izraelin që të mos përshkallëzojë konfliktin – sulmi ndaj Haifas ka mundësi që të nxitë luftën e plotë.
Nasrallah ka thënë se është pjesë e “luftës psikologjike” që Hezbollahu e zhvillon ndaj armaikut.
Ndërkaq, pak orë pas publikimit të videos, ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz ka thënë se “shteti është shumë afër momentit të vendimit për të ndryshuar rregullat ndaj Hezbollahut dhe Libanit”.
Në luftën e plotë, ka thënë ai, “Hezbollahu do të shkatërrohej dhe Libani do të dëmtohej rëndë”.
Por Hezbollahu ka gjetur një tjetër mënyrë për të shkaktuar vështirësi në Izrael. Ka ndezur shumë zjarre me raketa në pjesën veriore të Izraelit.
Autoritetet izraelite në javët e fundit kanë punuar shumë për të shuar këto zjarre.
Dhe zjarret i ka përdorur si kërcënim pas deklaratave të Izraelit se synon të nisë ofensivën ndaj Hezbollahut dhe Libanit.
Lufta në Gaza është një tjetër arsye se përse qeveria izraelite është shumë në dyshim që të ndezë luftën e dytë, e cila do të ishte shumë më e vështirë sepse Hezbollahu është grup më i armatosur se Hamasi.
Izraeli në muajin qershor ka ngritur numrin e rezervistëve nga 300 mijë në 350 mijë, duke nxitur spekulimet se lufta në pjesën veriore mund të nisë shumë shpejtë.