Shkruan:Afrim Kasolli
Se heqja e masave sanksionuese të Bashkimit Evropian në masë të madhe është e lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel ishte vërejtur qartë dje në rekomandimin e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. Sepse tek pjesa lidhur me këtë proces thuhet qartë, “ se vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara”.
Pra në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian ka vendosur ta josh Kosovën që të kthehet në tavolinën e bisedimeve më skenarin e (mos)suspendimit të këtyre masave. Madje nuk është e rastësishme, që sipas burimeve të mediumit Evropa e Lirë, BE-ja, është pajtuar që t’i heq gradualisht dhe pjesërisht këto masa ndaj Kosovës. Pra nuk ka mjaftuar vetëm konstatimi, se “Kosova ka lëvizur drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023”, lidhur me shtensionimin e situatës në veri.
Në këtë mënyrë, fatin e tyre do ta përcaktojë në mase të madhe progresi në procesin e dialogut. Kështu kjo fazë do të jetë vetëm verifikuese. Ndërkohë, se me cilat prej tyre do të testohet fillimisht, mbetet të shihet. Ashtu siç është thënë edhe për mundësinë që Kosova dhe Serbia të kenë qasje në fondin e Planit për Rritjen Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
Mirëpo në dallim nga katër shtetet tjera të rajonit Kosovës dhe Serbisë disa herë i është thënë sa ato nuk mund të përfitojnë nga kjo paketë nëse nuk demonstrojnë hapa konkretë në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksin e zbatimit të dakorduar në Ohër ndërmjet, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, sipas planit franko-gjerman për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Këtë gjë për herë të fundit e konfirmoi edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë.
E pa kaluar mirë as 24 orë nga këto zhvillime, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano paska deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ky zhvillim tregon se tash e tutje, jo vetëm agjenda e integrimeve euro-atlantike, siç është dëshmoi dështimi për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, do të varet nga zbatimi i obligimeve të marra në procesin e dialogut me Serbinë, por edhe fati i plotë i masave sanksionuese do të kushtëzohet nga ky proces.
Nuk mund të ketë përfundim më cinik në politikën jashtme për këtë Qeveri, e cila dikur premtonte se nuk do të dialogonte më me Serbinë pas sulmit të 24 shtatorit nga grupet paramilitare serbe, pa e ndëshkuar këtë të fundit ndërkombëtarisht, por që tani ka vendosur ta kërkojë desanksionimin e shtetit, nga disiplinimi në procesin e dialogut me presidentin serb Aleksandër Vuçiq./Arbëria TV/