Shkruan: Afrim Kasolli
Dje mediumi Evropa e Lirë raportoi se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës. Me anë të këtij raporti kryediplomati i BE-së, e ka zhvendosur topin në kryeqendrat politike evropiane.
Ashtu siç pritej, menjëherë pas kumtimit të këtij informacioni, Qeveria e Kosovës tentoi ta kapitalizoi këtë rekomandim si arritje politike dhe diplomatike të saj. Numri dy i ekzekutivit, Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, në mes të një gjuhe të përçart dhe deliri psikologjik, duke folur për “zhvillimin e jashtëzakonshëm ekonomik të vendit”, në mes tjerash pohoi, se “ky është një çmim që kemi qenë të detyruar ta paguajmë për ta ruajtur sovranitetin në veri, Ia ka vlejtë mos me lëshu pe, kërkesa ka qenë me lëshu pe, ti me dalë në zgjedhje, mi fitu, e mos me shku në zyrë, nashta masat i kemi pagu, por Radojiçiq është në arrati”, tha ndër të tjera ai.
Me një fjalë, kryenegociatori i Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, ka deklaruar se këto masa kanë qenë një e keqe e domosdoshme, sepse përfitimi nga to ka qenë shumë më i madh se sa humbjet. Sepse më në fund ato do të suspendohen, por edhe Kosova do të jetë plotësisht sovrane.
Sidoqoftë, përtej këtij interpretimi të pushtetit, fillimisht ende nuk është e sigurt se a do të hiqen ato. Sepse siç pohon raporti tash ky vendim do të varet nga shtetet anëtare. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Sipas diplomatit gjerman, “ky është një diskutim që duhet bërë në Bruksel, ne do të duhet të shohim mirë se çfarë do të vendosin”. Ngjashëm, siç kishte ndodhur me fatin e raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bokoyanis, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ndonëse ky raport kaloi në këtë hallkë të kësaj organizate, megjithatë Këshilli Ministror nuk e përfilli atë votim.
Dhe e dyta nëse ato suspendohen mbi çfarë tagri do të merret ky vendim? Sepse nëse lexohet më vëmendje ajo që ka dalur në media lidhur me rekomandimin e Borrellit, aty thuhet “ se vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara”.
Pra sipas arsyetimit të përfaqësuesit të BE-së, ky veprim ka të bëjë me dialogun dhe ndërtimin e një qasje të balancuar nga ana Unionit në raport me këto dy shtete. Mirëpo, pikërisht në këtë detaj fshihet djalli. Siç dihet këto masa ishin vënë me arsyetimin se Qeveria e Kosovës ishte përgjegjëse për tensionet e krijuara ndër-etnike në atë pjesë. Kurse sipas planit, të dakorduar ndërmjet Besnik Bislimit dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri, “Kosovës i ishte kërkuar që menjëherë t’i pezulloj operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale.”
Por në ndërkohë, nuk duhet harruar faktin se Kosova ishte sulmuar nga grupet paramilitare nga Serbia me 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Dhe krerët kryesorë të shtetit patën deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e dialogut më Serbinë, pa u ndëshkuar ajo ndërkombëtarisht. Mirëpo, saktësisht e kundërta ka ndodhur. Jo vetëm që Serbia nuk u ndëshkua, por Kosova e pranoi draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku siç u dëshmua edhe në rastin e dështimit për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, pa procedimin e tij, tashmë vendi ynë do të jetë peng sa i përket agjendës euro-atlantike.
Në këtë kontekst, mbase në këtë fazë suspendimi mund të përdoret si karrot për ta ringjallur procesin e dialogut pas konsolidimit të strukturave të reja përfaqësuese të BE-së, më qëllim implementimin pikërisht të Asociacionit. Po ashtu, nga progresi në këtë proces do të varet edhe qasja në fondet e planit mbi rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor, fakt ky që është konfirmuar disa herë nga shumë zyrtarë të BE-së.
Në këtë mënyrë, pushteti do të mund të arsyetohet para opinionet publik mbi përfitimet e shumëfishta që i patën si nga masat ashtu edhe nga heqja e tyre. Sepse tashmë janë shpërbërë strukturat kriminale në veri, prandaj edhe Asociacioni nuk paraqet rrezik për rendin kushtetues të Kosovës. Si dhe për shkak të këtij hapi Kosova do mund ta përfitojë asistencë financiare nga Brukseli. Me një fjalë humbjet për zbatimin e një marrëveshje të dëmshme afatgjatë t’i konvertojë në fitore momentale politike.