Shkruan: Afrim Kasolli
Gjysma e vitit 2023 dhe 2024 do mbahen mend edhe si viti i sanksionimit ndërkombëtar të Kosovës. Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës për shkak të zhvillimeve në veri. Sipas vlerësimit të zyrtarëve të Brukselit, Qeveria e Kosovës ishte përgjegjëse për tensionet e krijuara ndër-etnike në atë pjesë.
Raporti për (mos)suspendimin e tyre, i përgatitur nga përfaqësuesi i lartë për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell do të diskutohet sot.
Kohë më parë, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, patën deklaruar se ishin pajtuar për shtensionimin e situatës në veri, me që rast Kosovës i kërkohej që menjëherë t’i pezulloj operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale dhe që katër kryetarët të ushtrojnë përkohësisht detyrat në objekte alternative. Mirëpo, edhe përkundër këtij dakordimi formal gjërat në terren nuk kanë lëvizur.
Zyrtarë të shtetit të Kosovës kanë pasur vlerësime të ndryshëm për këto masa. Ata njëzëri i kanë quajtur të padrejta dhe kanë kërkuar heqjen urgjente të tyre. Kjo kërkesë u thekua veçanërisht pas mbajtjes së referendumit në veri për shkarkimin e kryetareve shqiptare në komunat me shumicë serbe. Këtë proces e bojkotuan qytetarët në atë pjesë edhe pse të njëjtit e kishin nënshkruar peticionin për mbajtjen e referundimit. Sipas kryeministrit Kurti, Kosova e plotësoi obligimin e saj ligjor, kurse bojkotimi i këtij procesi nga serbët lokalë “dëshmoi se ata tashmë janë të kënaqur me punën e kryetarëve shqiptarë” . Suspendimin e tyre e kërkoi edhe presidentja Osmani, ndonëse kjo e fundit disa herë kishte pasur deklarata të çuditshme për këto masa. Në një rast, ajo kishte deklaruar se falë shkathtësisë së saj diplomatike, Kosova kishte shpëtuar nga masa edhe më të ashpra, kurse në një rast tjetër, se ekziston një tendencë që largimi i tyre të lidhet zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
A do të jetë sot dita D për këto masa sanksionuese mbetet të shihet? Sipas, mediumit Evropa e Lirë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës. Kështu “duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.
Mirëpo, këtu nuk duhet harruar se të njëjtit diplomat i është kërkuar që në raportin përfundimtar, të përfshihen edhe vendimi autoriteteve të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarit në komunat serbe, si dhe aksioni i Policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve financiare të Serbisë në Kosovë.
Këto veprime ishin dënuar ashpër nga shumica e diplomatëve ndërkombëtarë. Madje në një intervistë të mëhershme për mediumin Nacionale edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte deklaruar se kishte kërkuar suspendimin e masave ndaj Kosovës, veçanërisht pas sulmit të 24 shtatorit, në shenjë solidariteti me Kosovën, pro që sipas tij, një gjë të tillë e patën kundërshtuar shtete të veçanta, me arsyetimin se Kosova nuk i ka plotësuar kriteret për të cilat ishin vënë ato.