Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A e kanë dëmtuar masat e BE-së komunitetin serb në Kosovë? – Analisti serb: Vetëm sa është rritur presioni ndaj tyre

A e kanë dëmtuar masat e BE-së komunitetin serb në Kosovë? – Analisti serb: Vetëm sa është rritur presioni ndaj tyre

Shumë shpejt pritet të bëhet publik raporti i Borrellit ndaj masave të Kosovës, Zv. Kryeministri Bislimi ka deklaruar se ky raport pritet të rekomandojë heqjen e masave për Kosovën, ndërkohë Peter Stano dje pohoi se nuk duhet spekuluar rreth këtij raporti, raporton TV Arbëria.

Rreth kësaj çështje për TV Arbëria ka folur analisti dhe gazetari serb Brasnilav Krstic, i cili ka deklaruar se pas vendosjes së masave nga BE-ja, qeveria e Kosovës vetëm sa e ka rritur presionin ndaj komunitetit serb.

“Pas vendosjes së masave nga BE-ja, qeveria e Kosovës vetëm sa e rriti presionin ndaj komunitetit serb”.

Krstic thekson se masat u vendosën për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, dhe vendosjes së kryetarëve jolegjitimë që i shërbejnë vetëm kryeministrit të tyre dhe jo qytetarëve, që është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Kosovës.

“Masat u vendosën për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, pushtimit të objekteve komunale dhe vendosjes së kryetarëve jolegjitimë që i shërbejnë vetëm kryeministrit të tyre dhe jo qytetarëve, që është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Kosovës”, është shprehur Krstic.

Tutje, analisti apo gazetari serb thotë se në 20 muajt e fundit është krijuar shtet policor në veri të vendit, ku sipas tij në këtë mënyrë është zyrtarizuar shkelja e të drejtave kolektive të komunitetit serb në Kosovë.

“Në 20 muajt e fundit është krijuar shtet policor në veri të vendit dhe kështu është zyrtarizuar shkelja e të drejtave kolektive të serbëve”

Ai vlerëson se s’ka arsyetim për heqjen e masave ndaj qeverisë së Kosovës.

“Duke qenë se qeveria e Kosovës nuk bëri asgjë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, por me veprimet e saj rriti tensionet në veri të vendit, përshtypja është se nuk ka arsyetim për anulimin e masave ndaj qeverisë së Kosovës”.

Së fundmi, Krstic potencon se qeveria e Kosovës është në prag të izolimit politik.

“Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës është në prag të izolimit politik, sepse si të shpjegohet ndryshe që administrata amerikane nuk ka komunikuar me qeverinë në Prishtinë në pesë muajt e fundit, por ekskluzivisht me zyrën e Presidentit të Kosovës”, deklaroi Krstic për TV Arbëria.

Powered by WordPress