Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli i ka reaguar deklaratës së kryeministrit Albin Kurti i cili gjatë tubimit të Vetëvendosjes është shprehur se opozita është frikësuar për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale, raporton TV Arbëria.
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli në një prononcim për TV Arbëria, ka theksuar se Kurti është një mjeshtër i madh në të luajturit të sinqeritetit dhe naivitetit të njerëzve.
“Kryeministri Kurti është mjeshtër i madh në të luajturit, jo vetëm me sinqeritetin por edhe me naivitetin e njerëzve”, ka thënë ai.
Sa i përket deklaratës së Kurtit i cili është shprehur i gatshëm të shkojë në zgjedhje, për Pacollin ka qenë e qartë se ai është duke u tallur.
“Që nga dita e parë kur Kurti filloi të flasë me opozitën gjoja se “menjëherë do të shkojmë në zgjedhje”, për mua ishte e qartë që ai po tallet. Pat njerëz nga opozita që i besuan, ku ai arriti me mjeshtëri të jetë në “krye të kësaj valle” dhe ta drejtojë atë ashtu si dëshironte”.
Tutje, ai thekson se Kurti nuk do të shkojë në zgjedhje asnjë ditë para afatit, pasi ai do të shfrytëzojë çdo gjë për të denigruar opozitën.
“Kurti nuk shkon në zgjedhje asnjë ditë para afatit, këtë e kam thënë që nga fillimi. Ai do të shfrytëzojë çdo gjë për ta denigruar edhe më tutje opozitën! Ai është “ mjeshtër për të luajtur me ndjenjat e njerëzve”, i mbushur me inate dhe nuk ka respekt për askënd!”, deklaroi Pacolli për TV Arbëria.