Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, i ka reaguar kryeministrit Kurti, i cili mbrëmë i ka kritikuar partitë opozitare për shtyrje të zgjedhjeve nacionale, “Zgjedhjet më 2025, s’mund t’i shtyjnë pafundësisht”, ka deklaruar Kurti, raporton TV Arbëria.
Deputeti i PDK-së në një prononcim për TV Arbëria ka vlerësuar se deklarata e Kurtit ku ai sugjeron se opozita po frikësohet nga zgjedhjet, është një deklaratë politike që synon të forcojë pozicionin e tij
“Deklarata e Kryeministrit Albin Kurti në për tubimin e Vetëvendosjes, ku ai sugjeron se opozita po frikësohet nga zgjedhjet, është një deklaratë politike që synon të forcojë pozicionin e tij dhe të partisë së tij në sytë e publikut, tashmë të luhatur deri në mosbesim politik e dyshim për qeverisje me agjendë anti shtet”, është shprehur ai.
Sipas Berishës, kryeministri Albin Kurti është duke përdorur këtë lloj retorike për të krijuar përceptimin se ajo është e dobët dhe e papërgatitur për t’u përballur me zgjedhjet, teksa e ka quajtur përfshirje të paranojës.
“Kurti përdor këtë lloj retorike për të delegjitimuar opozitën dhe për të krijuar perceptimin se ajo është e dobët dhe e papërgatitur për t’u përballur me zgjedhjet. Kjo tregon se është përfshirë nga paranoja (veti tipike e udhëheqësve totalitarë, komunistë) e humbjes që e paralajmëruan edhe rezultatet e NDI, e më herët e kanë treguar zgjedhjet locale”.
Tutje, Berisha ka deklaruar se populli i vërejnë mashtruesit shpejt dhe i ndëshkon ata, ku shtoi se Albin Kurti tanimë njihet për kauzat e tij të rrejshme.
“Populli shpejt i dikton mashtruesit dhe i ndëshkon ata. Albin Kurti tanimë njihet për kauzat e tij të rrejshme, njihet po ashtu si mashtruesi më i madh në politikë, dhe përfaqësuesi më jo serioz e i pa besueshëm në raportet ndërkombëtare por edhe brendapolitike”.
Ndërsa, sa i përket masave të BE-së ndaj Kosovës, Berisha fajëson kryeministrin e Kosovës, duke thënë se janë sjelljet e tij arsyeja e pozicionimit te BE-së kundrejt vendit tonë.
“Është pikërisht sjellja e tij jo e qëndrueshme dhe e pakoordinuar me aleatët, arsyeja që sot Kosova është nën sanksionet e BE-së, kurse muaji qershor ‘24 mund të sjellë edhe masa të reja jo vetëm nga BE!”.
Tutje, deputeti i PDK-së përmend edhe shqetësimin e opozitës, ku thotë se këto shqetësime mund të përfshijnë çështjet bazë të Kosovës.
“Nga ana tjetër, opozita ka ngritur shqetësime të ndryshme në lidhje me qeverisjen e Kurtit dhe proceset zgjedhore në vend. Këto shqetësime mund të përfshijnë çështje të tilla si dialogu, marrëveshjet antikushtetuese dhe obligimet ndërkombëtare në të cilat e ka futur vendin, me Planin franko-gjerman, aneksin e Ohrit dhe Statutin e Bashkësisë së Komunave me komunitet shumicë serb, që prekin sovranitetin politik në territor, çka me ligjet penale të Evropës përbën vepër penale të tradhëtisë, kur nuk kalojnë ratifikimin në Kuvend.”
Ai akuzon LVV se i kanë vjedhur votat industrialisht në zgjedhjet e fundit.
“Pastaj, transparenca e zgjedhjeve, standardet demokratike dhe garantimi i një mjedisi të drejtë dhe të barabartë për të gjitha palët e interesuara. Është evidente se Kurti dhe LVV, i kanë vjedhur industrialisht votat në zgjedhjet e fundit, synim që e kanë dhe tani. Por, PDK, besoj opozita në përgjithësi, do të jetë më e organizuar dhe e përkushtuar në mbrojtjen e votës, duke i forcuar standardet dhe mekanizmat e kontrollit.”
Sipas tij, Kurti dhe ekipi i tij të cilin e quan ekip i mashtruesve, vlerëson se tashmë kanë filluar reprizën e premtimeve të dështuara, nga zgjedhjet e kaluara.
“Është e rëndësishme të kuptohet se në politikë, deklarata të tilla janë të zakonshme dhe shpesh përdoren për të mobilizuar mbështetësit dhe për të krijuar një narrativë të caktuar. Kurti dhe ekipi i tij i mashtruesve, tashmë kanë filluar reprizën e premtimeve të dështuara, nga zgjedhjet e kaluara. Për të vlerësuar nëse opozita vërtet po frikësohet nga zgjedhjet, do të ishte e nevojshme të analizohen veprimet konkrete të partive opozitare, përgatitjet e tyre për zgjedhjet dhe qëndrimet që ato shprehin publikisht“.
Ndërkaq sa i përket deklaratës së Kurtit i cili ka thënë se opozita po frikësohet, Berisha i kundërpërgjigjet duke theksuar se fakti që kanë caktuar mandatar të qeverisë së ardhshme kanë qenë të gatshëm për të përcaktuar datën e zgjedhjeve.
“Fakti se caktuam kandidatin për mandatar të qeverisë së ardhshme, ishim të gatshëm për të caktuar datën e zgjedhjeve, i kaluam marrëveshjet ndërkombëtare dhe ta shpërndajmë parlamentin, tregon seriozitetin me të cilin e shohim rrezikun për ekzistencën e vendit nga kjo qeverisje kuislingësh e cila duhet ndalur.“
Sipas vlerësimit të deputetit Kurti është duke i ikur zgjedhjeve, sepse e di që më nuk do të vijë në pushtet.
“Në përfundim, ndërsa deklarata e Kurtit mund të ketë një qëllim politik të qartë, vërtetësia e pretendimit të tij varet nga analizat më të thelluara të dinamikave aktuale politike dhe sjelljes së opozitës në prag të zgjedhjeve. E vërteta është se ky po i ikën zgjedhjeve, sepse e di që më nuk do të mund të vijë në pushtet. Po ashtu, retorika që po përdor tani për zgjedhjet në vitin 2025, është për faktin se tani më edhe PDK-ja si partia më e fuqishme në vend dhe determinuese e vendimeve të mëdha politike për shtetin, ia ka bërë të qartë se opsioni që të shkohet në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit nuk vlen më, tani çfarëdo zgjedhjesh që mbahen jemi brenda afatit të rregullt dhe se për ta shpëtuar politikisht, ekonomikisht e në aspektin e sigurisë vendin, duhet dorëheqja me penalizim e Kurtit. Këtë duhet ta imponojnë vetë qytetarët, forcat progresiste në vend, studentët dhe shoqëria civile. Edhe këta 6-7 muaj sa i kanë mbetur, do të vazhdojë të vjedhë e zhvatë taksat e qytetarëve sa të mundet, siç ka bërë për këto mbi katër vite me 14.133 miliard buxhet, pa asnjë efekt në rritje ekonomike, zhvillim e mirëqenie qytetare.”, ka dekaruar Berisha për TV Arbëria.