Shkruan: Afrim Kasolli
Në një kohë kur vëmendja e opinionit publik botëror vazhdon të jetë e fokusuar kryesisht në luftën në Ukrainë për shkak të pushtimit brutal të kësaj të fundit nga Rusia, apo në Lindje të Mesme për shkak konfliktit ndërmjet Izraelit dhe grupit terrorist palestinez të Hamasit në Rripin e Gazës, pas sulmit të këtij të këtij grupi mbi shtetin e Izraelit me 7 tetor te vitit të kaluar dhe shtimit të tensioneve gjithnjë e më shumë me grupin e Hezbollahut në Liban, sipas shumë analistëve ndërkombëtarë, një tjetër luftë e përmasave shumë më apokaliptike mund të shpërthejë dhe e cila mund të ndikojë që ta “harrohen” të gjitha luftërat e sipër cekura. E këtu është fjala për një luftë të mundshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, nëse secila prej tyre nuk ia dalin që t’i menaxhojnë dhe kontrollojnë tensionet që po agravohen gjithnjë e më tepër.
Sipas Odd Arne Wested, në artikullin e botuar në Foreign Affairs, me titull “Sleepwalking Toward War-Will America and China Heed the Warnings pf the Tëentieth-Century Catastrophe?” këto dy superfuqi botërore sot në shumë çka i ngjasojnë raportove që i karakterizonte marrëdhëniet ndërmjet Gjermanisë dhe Britanisë, të cilat nga një atmosfera miqësore me një somnambulizëm të pashoq përfunduan në një armiqësi pa shtegdalje.
Rritja e beftë ekonomike e Gjermanisë e zhvendosi balancin e pushtetit në Evropë në atë kohë dhe i shtoi apetitet e Berlinit për përftime tjera strategjike, sidomos në zona ky Perandoria Britaneze e kishte të konsoliduar pushtetin e saj. Në këtë mënyrë forcat strukturore sikurse shtytjet imperative ekonomike, gjeografia dhe ideologjia e kushtëzuan një konkurrencë të pamëshirshme ndërmjet këtyre dy fuqive të kohës që po luftonin për supermaci globale. Secila prej tyre filluan ta karikaturojnë tjetrën me klishe ofenduese. Kështu për gjermanët, anglezët ishin eksploatues të padrejtë të botës, kurse për anglezët, Gjermania përfaqësonte një shtet autoritar me synime ekspansioniste dhe represive. Kultivimi i kësaj klime ku njëra palë paraqet rrezik ekzistencial për tjetrin, thuajse e bëri lutën çështje kohe.
Në këtë kontekst, edhe antagonizmat që po intensifikohen gjithnjë me të tepër ndërmjet Kinës dhe SHBA-ve e janë në shumëçka identike me këto dinamika. Fillimisht secila prej administratave amerikane e ka inkurajuar përfshirjen e Kinës në kuadër të ekonomisë botërore, qoftë nga interesi për shkak të tregut të madh që përfaqëson ai shtet, apo dhe nga shpresa se në këtë mënyrë do t’i ndikojnë në liberalizmin gradual të Pekinit. Mirëpo, me kalimin e kohës fuqizimi ekonomik i Kinës ka filluar që të shihet si kërcënim nga ana e SHBA-ve. Bie fjala në vitin 1995 ekonomia e Amerikës mbulonte 25% të tregut botëror, kurse e Kinës dikund në 5 %. Ndërkohë, sot Kina e mbulon 30% të saj, kure ajo SHBA-ve ka rënë në 17%.
Por përtej statistikave ekonomike me shqetësuese mbeten synimet dhe ambiciet gjeopolitike të Kinës, të cilat kanë filluar të përjetohen gjithnjë e më shumë si rreziku kryesor strategjik për interesat globale të Amerikës. Kjo edhe është arsyeja që edhe përkundër luftës që është duke zhvilluar Rusia në Ukrainë si dhe pretendimeve imperiale të së parës për ta shtrirë hegjemoninë e saj në vendet e dikurshme të ish Bllokut Sovjetik, përsëri ekziston një konsensus bipartiak në Uashington, se Kina mbetet rivali kryesor strategjik i SHBA-ve.
Po ashtu, kohën e fundit Uashingtoni ka filluar ta akuzojë Kinën se është duke ndikuar në zgjatjen e luftës në Ukrainë duke i ndihmuar Rusisë. Në anën tjetër edhe dhe liderët kinezë, në krye me Xi Jinping, gjithnjë e më shumë po flasin për nevojën e një revizionizëm të domosdoshëm ndërkombëtar, sepse sipas vlerësimit dhe kalkulimit të drejtueseve të Partisë Komuniste Kineze, me këtë rend, SHBA-të mëtojnë ta mbajnë të kontrolluar rritjen e Kinës.
Kështu, nëse secila prej këtyre dy fuqive vazhdojnë të operojnë sipas kësaj skeme, herët apo vonë do të tundohen edhe më shumë për ta gjykuar tjetrën sipas “Kurthit të Tukidit”. Siç dihet, sipas interpretimit të historianit antik “frika e Spartës nga rritja e fuqisë së Athinës u bë shkaktar real i Luftës së Peloponezit”. Ashtu siç edhe Anglia u pushtua nga frika e fuqisë gjithnjë e më të madhe të Gjermanisë para Luftës së Parë Botërore. Atentati i Sarajevës me 28 nëntor të vitit 1914, ku forcat terroriste serbe e vranë trashëgimtarin e fronit perandorak të Austro-Hungarisë, shërbeu vetëm si pretekst për shpërthimin e pa kontrolluar të këtyre forcave antagoniste të shtresëzuara për disa dekada.
Ndërkohë, edhe në raportet ndërmjet Kinës dhe Amerikës ekziston një çështje sensitive gjeopolitike, ajo e ishullit të Tajvanit. Nëse të dy shtetet i mbajnë të njëjtat pozicione që i kanë aktualisht për të ardhmen ishullit, lufta ndërmjet tyre mund të behet e “pashmangshme”, pasojat e së cilës vështirë mund të parashikohen. /TV Arbëria