Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz sot do të takohen me ministrin e Punëve të Brendshme të Izraelit, Moshe Arbel.
Takimet do të zhvillohen të ndara, kanë thënë zyrat për media të institucioneve.
Zyra e Kryeministrit ka thënë se takimi mes Kurtit dhe Arbel do të mbahet në orën 11:20.
Ndërkaq, pas takimit me Kurtin, ministri izraelit do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin dhe kryediplomaten Gërvalla.
Në takimin me Gërvallën, pritet të nënshkruhet një marrëveshje ndërshtetërore mes Izraelit dhe Kosovës.
“Ju njoftojmë që sot, me datë 18.06.2024, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të pres në takim Ministrin e Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel, me të cilin do të nënshkruajë një marrëveshje ndërshtetërore”, ka thënë Zyra për Media e MPJ-së.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë qeveritar nga Izraeli që nga shtatori i vitit të kaluar kur Kosovën e vizitoi ministri i Turizmit të Izraelit, Haim Katz.