Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kasolli analizon deklaratat e ambasadorëve amerikanë për Kosovën, i quan “kontradiktore”

Kasolli analizon deklaratat e ambasadorëve amerikanë për Kosovën, i quan “kontradiktore”

Analisti politik, Afrrim Kasolli ka analizuar deklaratat e dy ambasadorëve amerikanë, atij në Kosovë dhe atij në Serbi, rreth dialogut Kosovë Serbi, shkruan TV Arbëria.

Kasolli deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe atij në Serbi, Christopher Hill, i ka quajtur kontradiktore.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte deklaruar se në bisedimet Kosovë-Serbi duhet të jetë edhe njohja reciproke mes dy vendeve.

Ndërsa amabasadori amerikan në Serbi Christopher Hill, kishte deklaruar se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të.

Këto deklarata Kasolli i ka quajtur kontradiktore, dhe sipas tij ngrisin dilema të tjera, dhe thekson se kjo nuk është hera e parë që nga politika amerikane kemi qëndrime të ndryshme për Kosovën.

“Qëndrime të tilla thuajse gati krejtësisht të ndryshme të dy diplomatëve nga i njëjti shtet, me të drejtë kanë ngritur dilema dhe pikëpyetje sa a po flet sot Uashingtoni me të njëjtën gjuhë për Kosovën, apo edhe në këtë kryeqendër po artikulohen dita ditës vizione paralele varësisht nga interesat e instancave të brendshme politikbërëse? Dhe një mundësi e tillë nuk është diçka e pa precedent, sepse edhe në të kaluarën jo pak herë segmente të ndryshme të politikës amerikane ishin dalluar me qëndrime jo unike për Kosovën. Apo mbase edhe të dy diplomatët po e flasin për të njëjtën gjë me gjuhë të ndryshme, vetëm me qëllim që të miklohen dhe të mos acarohen ndjenjat e popullsive lokale ku ata janë në mision?”, ka shkruar Kasolli, transmeton TV Arbëria.

“Megjithatë, përkundër “kontradiktave” të të tilla në shikim të parë në të vërtetë të dy ambasadorët amerikanë janë duke artikuluar një qëndrim unik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me Kosovën. Sepse kërkesa për njohje reciproke ndërmjet dy vendeve si qëllim final i dialogut Kosovë-Serbi, ka qenë një vizion imperativ i të gjitha administratave amerikane, prej se ka filluar ky proces këtu e një dekadë më herët. Prandaj, diplomati Jeffrey Hovenier, vetëm sa e konfirmoi edhe një herë atë që Uashingtoni e ka mbrojtur ndër vite”, shkruan tutje analisti.

Kasolli ndër të tjera thekson se në marrëveshjen bazike të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë mungon njohja reciproke dhe kjo sipas tij nuk mund të mohohet. /TV Arbëria.

Lexo këtu shkrimin e plotë nga Kasolli

Powered by WordPress