Shkruan: Afrim Kasolli
Mediumi i njohur ndërkombëtar “Reuters” para pak kohe ka shkruar se “Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka shpërndarë kabinetin e luftës me gjashtë anëtarë”. Siç dihet, ky kabinet ishte krijuar pak pas sulmit të grupit militant palestinez të Hamasit mbi shtetin e Izraelit, ku u vranë mbi 1200 civilë si dhe u kidnapuan më shumë se 250 qytetarë, si dhe para invadimit tokësor të Forcave Mbrojtëse Izraelite në Rripin e Gazës, me qëllim shkatërrimin e këtij grupi si dhe lirimin e pengjeve.
Kjo kthese e çuditshme e kryeministrit izraelit po ndodh në një kohë tejet delikate si për pozitën e tij personale ashtu dhe shtetin që e përfaqëson, që prej se ka filluar lufta në Gaza.
Ai ka kohë që përballet me një presion të shumëfishtë, si ndërkombëtar ashtu vendor. Fillimisht, nëpër rrugët dhe sheshet e disa prej qyteteve kryesore të shtetit të Izraelit qytetarë të shumtë po protestonin në vazhdimësi kundër politikave të Benjamin Netanyahu-t, në Rripin e Gazës, me theks të veçantë dështimin e tij për t’i liruar pengjet. Po ashtu, me kalimin e kohës u shtuan mos marrëveshjet në kuadër të kabinetet të luftës, mbi atë se çfarë duhet të jetë plani konkret pas këtij invadimi. Kështu, ministri, Benny Gantz, fillimisht e kërcënoi dhe më pas u largua nga bashkëqeverisja, pasi kryeministri Netanyahu, nuk e miratoi brenda tri javësh një plan të ri për shtegdalje nga kjo gjendje.
Në anën tjetër numri i madh i viktimave civile në Gaza, ndikoi që institucione të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare të marrin vendime aspak të favorshme për këtë shtet. Me një lëvizje të papritur Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale , para pak kohe deklaroi se ka kërkuar lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe për liderët kryesorë të Hamasit – grupit radikal të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Sipas Karim Khan, Netanyahu dhe ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe tre liderë të Hamasit – Yehia Sinëar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh – janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023. Kurse pa kaluar as një javë nga ky vendim, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës. Sipas GJND-së, Izraeli duhet të ndalë edhe çdo veprim tjetër në Rafah, që mund të përkeqësojë jetesën e palestinezëve në Rafah të Gazës.
Në këtë klimë aspak të favorshme, presidenti Biden e bëri publik planin e tij e tij paqësor për përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës. Sipas mediave ndërkombëtare, ky plan synonte fillimisht një armëpushim gjashtë javor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga të “të gjitha zonat e banuara “ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar. Në këtë fazë, Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – dhe Izraeli do të bisedonin për një armëpushim të përhershëm, për të cilin Biden tha se do të zgjaste “për aq gjatë sa Hamasi u përmbahet zotimeve të veta”. Megjithëse këtë plan tashmë e kanë refuzuar edhe përfaqësuesit e kësaj organizate.
Mirëpo, edhe pse fillimisht sipas të dhënave të para u krijua përshtypja se Qeveria e Izraelit do të pajtohej me këtë plan, megjithatë nuk munguan reagimet ashpra nga partitë e së djathtës ekstreme të përfaqësuara nga politikan si Itamanar Ben Gvir, i cili aktualisht mban post ministror, por që nuk ishte pjesë e kabinetit të luftës, duke e paralajmëruar kryeministrin Izraelit kundër çdo pauze të operacioneve ushtarake, qoftë sipas kërkesave të drejtësisë ndërkombëtare apo thirrjes së administratës amerikane. Edhe pse kjo e fundit ka shprehur rezerva veçanërisht me vendimin Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Sidoqoftë, është e paqartë se në çfarë drejtimi do të lëviz kryeministri Benjamin Netanyahu pas këtij veprimi?. Por, ai tashmë ndodhet në mes të një vorbulle me kërkesa të papajtueshme me njëra tjetrën. Nëse vendos t’i plotësojë edhe më shumë kërkesat e së djathtës ekstreme do ta humb edhe më shumë mbështetjen ndërkombëtare dhe solidaritetin global. Nëse vendos t’i marrë në konsideratë këto të fundit do ta fitojë armiqësinë edhe më të madhe të parës dhe më ketë rrezikon ta humbas edhe pozitën e tij politike.
Mbase kritikën më të ashpër mbi fatin e tij politik para pak dite e ka artikuluar presidenti amerikan Joe Biden, kur deklaroi se ka gjasa që “Netanyahu po zvarrit luftën në Gazë për të shpëtuar veten politikisht”./Arbëria TV