Shkruan: Afrim Kasolli
Nëse ka diçka që i ka karakterizuar “kontradiktat” amerikane për Kosovën dhe Serbinë si dhe procesin e dialogut ndërmjet tyre që po zhvillohet në Bruksel më mbështetjen e BE-së, atëherë mund të merren dy deklarata krejtësisht të ndryshme të dy ambasadorëve amerikanë në këto vende.
Fillimisht, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke folur në samitin “The Western Balkans 2024” pohoi se qëllimi i këtij procesi “duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Europë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe, sidomos duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e mundshme që mund të pasojë”.
Mirëpo, paralelisht më këtë konstatim të të dërguarit të Uashingtonit në Prishtinë, Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për një media lokale në atë shtet, ka deklaruar, “se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të”.
Pra deri sa për të parin normalizimi i raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk nënkupton asgjë më pak se sa njohje reciproke, si dhe nuk mund ketë evropianizim pa realizmin e këtij qëllimi, për të dytin mjafton vetëm normalizimi duke mos e përfshirë domosdoshmërisht njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve. Për më shumë një gjë e tillë as nuk do të jetë pengesë për integrimin e Serbisë në kuadër të Bashkimit Evropian.
Qëndrime të tilla thuajse gati krejtësisht të ndryshme të dy diplomatëve nga i njëjti shtet, me të drejtë kanë ngritur dilema dhe pikëpyetje sa a po flet sot Uashingtoni me të njëjtën gjuhë për Kosovën, apo edhe në këtë kryeqendër po artikulohen dita ditës vizione paralele varësisht nga interesat e instancave të brendshme politikbërëse? Dhe një mundësi e tillë nuk është diçka e pa precedent, sepse edhe në të kaluarën jo pak herë segmente të ndryshme të politikës amerikane ishin dalluar me qëndrime jo unike për Kosovën. Apo mbase edhe të dy diplomatët po e flasin për të njëjtën gjë me gjuhë të ndryshme, vetëm me qëllim që të miklohen dhe të mos acarohen ndjenjat e popullsive lokale ku ata janë në mision?
Megjithatë, përkundër “kontradiktave” të të tilla në shikim të parë në të vërtetë të dy ambasadorët amerikanë janë duke artikuluar një qëndrim unik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me Kosovën. Sepse kërkesa për njohje reciproke ndërmjet dy vendeve si qëllim final i dialogut Kosovë-Serbi, ka qenë një vizion imperativ i të gjitha administratave amerikane, prej se ka filluar ky proces këtu e një dekadë më herët. Prandaj, diplomati Jeffrey Hovenier, vetëm sa e konfirmoi edhe një herë atë që Uashingtoni e ka mbrojtur ndër vite.
Mirëpo, se Kosova dhe Serbia janë pajtuar publikisht për Marrëveshjen bazike të Brukselit dhe aneksin e zbatimit të Ohrit, sipas planit franko-gjerman, të ndërmjetësuar nga BE-ja, por edhe të përkrahur nga SHBA-të, që parasheh normalizimin ndërmjet tyre, e ku mungon njohja reciproke, as kjo nuk mund të mohohet. Prandaj, me këtë rast, Ambasadori amerikan, në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar vetëm diçka për të cilën tashmë janë dakorduar të gjitha palët e përfshira në këtë ndërmarrje diplomatike.
Me këtë rast, mbase kontradikta më madhe mund kërkohet në prapakthimin që ka bërë shteti i Kosovës, duke u pajtuar me Serbinë për një marrëveshje ku mungon njohja nga zbatimi i së cilës varen integrimet evropiane, por e cila rezultoi me braktisjen e pozicionit shumëvjeçar amerikan si qëllim i dialogut./Arbëria TV