Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kasolli e quan të çuditshme deklaratën e Hovenierit për 25-vjetorin e çlirimit

Kasolli e quan të çuditshme deklaratën e Hovenierit për 25-vjetorin e çlirimit

Analisti politik, Arim Kasolli ka komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, për ditën e çlirimit të Kosovës, shkruan TV Arbëria.

Ambasadori amerikan në 25-vjetorin e çlirimit tha se: “Dëshiroj të theksoj se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë. Ne qëndrojmë me popullin e Kosovës kundër autoritarizmit, kundër çdo përpjekjeje për të shtypur brutalisht dhe për të ndarë shoqërinë në vija etnike ose fetare, kundër shkatërrimit me dhunë të jetës dhe jetesës së njerëzve dhe kundër vullnetit të tyre. Dhe ne qëndrojmë me krenari dhe plotësisht përkrah popullit të Kosovës. Kemi qenë me ju që nga fillimi. Jemi me ju tash. Dhe mirëpresim të qëndrojmë përkrah jush në vitet në vijim. Urime”.

Këtë deklaratë të ambasadorit amerikan, Kasolli e quan të çuditshme

“Me rastin e ditës së çlirimit, dje shumë personalitete ndërkombëtare e uruan Kosovën për këtë ditë si dhe për arritjet politike, ekonomike dhe sociale në këto dy dekada liri. Thuajse njëzëri të gjithë e transmetuan mesazhin se janë të mahnitur me ndryshimet që kanë ndodhur brenda këtij harku kohor.

Mirëpo, për dallim nga ky kor i njëtrajtshëm diplomatik, ajo që e tërhoqi vëmendjen ishte mënyra e çuditshme e urimit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier. Në fjalimin drejtuar popullit të Kosovës, ai ndër të tjera pohoi se vendi i tij do të qëndrojë “me popullin e Kosovës kundër autoritarizmit, kundër çdo përpjekje për të shtypur brutalisht, dhe për të ndarë shoqërinë në vija etnike ose fetare, kundër shkatërrimit me dhunë të jetës dhe jetesës së njerëzve, kundër vullnetit të tyre”. Në fund diplomati amerikan, shtoi se “kemi qenë me ju që në fillim. Jemi me ju tani. Dhe mirëpresim të qëndrojmë përkrah jush në vitet që vijnë””, ka shkruar Kasolli.

Sipas Kasollit deklaratat e ambasadorit Hovenier, mund të jenë kundër Qeverisë së Kosovës.

“Mirëpo, nëse i kushtojmë vëmendje disa intervistave tjera, sikur se asaj të fundit në Zërin e Amerikës, lehtësisht mund të kuptohet se në këtë rast mund të jetë fjala pikërisht për pushtetin në Kosovë. Pra ambasadori amerikan, në mënyrë të tërthortë deklaroi se SHBA-të, tash e tutje, do të jenë të përkushtuara më shumë ta mbrojnë shoqërinë e Kosovës edhe nga autoritarizmi i brendshëm politik se sa ai jashtëm. Si dhe ta sfidojnë çdo përpjekje për ta “shtypur këtë të fundit brutalisht e kundër vullnetit të saj”.

Se ky mesazh ishte i drejtuar ekskluzivisht kundër Qeverisë së Kosovës, shihet qartë nga përgjigja që ai kishte dhënë para pak ditë në intervistën në fjalë lidhur me pyetjen se Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saj që dalin nga marrëveshjet me Kosovën? Dhe me këtë rast, ai pa ekuivoke ishte përgjigjur se “puna ime është Kosova dhe jo Serbia” Ndërkohë, Jeff Hovenier, kishte shprehur po ashtu shqetësimin e tij mbi disa vendime të marra nga pushteti aktual, sikur se ai që ka të bëjë me shpronësimet në veri për, faktin se në këtë rast “nuk janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore”. Dhe sipas tij edhe “ pse Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, ashtu sikur Shtetet e Bashkuara janë vendi më pro-Kosovë në botë, megjithatë kjo nuk do të thotë se një qeveri e caktuar mund të bëjë ç’të dojë””, ka shkruar analisti Kasolli. /TV Arbëria

Powered by WordPress