Shkruan: Afrim Kasolli
Me rastin e ditës së çlirimit, dje shumë personalitete ndërkombëtare e uruan Kosovën për këtë ditë si dhe për arritjet politike, ekonomike dhe sociale në këto dy dekada liri. Thuajse njëzëri të gjithë e transmetuan mesazhin se janë të mahnitur me ndryshimet që kanë ndodhur brenda këtij harku kohor.
Mirëpo, për dallim nga ky kor i njëtrajtshëm diplomatik, ajo që e tërhoqi vëmendjen ishte mënyra e çuditshme e urimit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier. Në fjalimin drejtuar popullit të Kosovës, ai ndër të tjera pohoi se vendi i tij do të qëndrojë “me popullin e Kosovës kundër autoritarizmit, kundër çdo përpjekje për të shtypur brutalisht, dhe për të ndarë shoqërinë në vija etnike ose fetare, kundër shkatërrimit me dhunë të jetës dhe jetesës së njerëzve, kundër vullnetit të tyre”. Në fund diplomati amerikan, shtoi se “kemi qenë me ju që në fillim. Jemi me ju tani. Dhe mirëpresim të qëndrojmë përkrah jush në vitet që vijnë”.
Sidoqoftë, kjo uratë e pazakontë politike me të drejtë ka nxitur shumë hamendje dhe dilema se ndaj kujt ishte e drejtuar dhe çfarë kumti të fshehur e përçon ajo në esencë? Këtu duhet kujtuar se ka kohë që, jo vetëm ambasadori në fjalë, por edhe shumë zyrtarë tjerë të administratës amerikane në deklarime dhe prononcime për media, janë duke e bërë dallimin ndërmjet popullit të Kosovës dhe pushtetit. Dhe po ashtu, në vazhdimësi e kanë përsëritur qëndrimin se përkundër mos pajtimeve dhe partneritetit të lënduar me Qeverinë e Kosovës. Apo se ata nuk janë kundër popullit të saj dhe nuk do ta braktisin atë.
Por, shtrohet pyetja nga cili lloj autoritarizëm politik, Amerika ka vendosur ta mbrojë popullin e Kosovës. Mbase përgjigja e menjëhershme dhe e vetvetishme mund të lind, pa dyshim se ka të bëjë për tendencat autokratike të regjimit të Aleksandar Vuçiq-it, në Serbi. Kërcënimet që ai paraqet për stabilitetin, paqen dhe demokracinë, jo vetëm të Kosovës por edhe të rajonit.
Mirëpo, nëse i kushtojmë vëmendje disa intervistave tjera, sikur se asaj të fundit në Zërin e Amerikës, lehtësisht mund të kuptohet se në këtë rast mund të jetë fjala pikërisht për pushtetin në Kosovë. Pra ambasadori amerikan, në mënyrë të tërthortë deklaroi se SHBA-të, tash e tutje, do të jenë të përkushtuara më shumë ta mbrojnë shoqërinë e Kosovës edhe nga autoritarizmi i brendshëm politik se sa ai jashtëm. Si dhe ta sfidojnë çdo përpjekje për ta “shtypur këtë të fundit brutalisht e kundër vullnetit të saj”.
Se ky mesazh ishte i drejtuar ekskluzivisht kundër Qeverisë së Kosovës, shihet qartë nga përgjigja që ai kishte dhënë para pak ditë në intervistën në fjalë lidhur me pyetjen se Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saj që dalin nga marrëveshjet me Kosovën? Dhe me këtë rast, ai pa ekuivoke ishte përgjigjur se “puna ime është Kosova dhe jo Serbia” Ndërkohë, Jeff Hovenier, kishte shprehur po ashtu shqetësimin e tij mbi disa vendime të marra nga pushteti aktual, sikur se ai që ka të bëjë me shpronësimet në veri për, faktin se në këtë rast “nuk janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore”. Dhe sipas tij edhe “ pse Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, ashtu sikur Shtetet e Bashkuara janë vendi më pro-Kosovë në botë, megjithatë kjo nuk do të thotë se një qeveri e caktuar mund të bëjë ç’të dojë”.
Ky përfundim lakonik mbase e qartëson edhe kuptimin e mesazhit të djeshëm. Tashmë sipas vlerësimeve diplomatike amerikane, Qeveria e Kosovës po sillet në mënyrë arbitrare dhe voluntarsite e duke i shpërfillur kriteret ligjore në raste të caktuara. Sjellje të tilla e formësojnë zembërakun e autoritarizmit politik. Model ky, kundër të cilit, SHBA-të në ditën e çlirimit, u zotuan se do të angazhohen ta mbrojnë popullin Kosovës nga tentakuat e tij. /TVArbëria/