Testi Shtetëror i Maturës dhe Testi i Arritshmërisë në Kosovë, si formë e vlerësimit të matjes së njohurive të nxënësve, vazhdimisht po përcillet me parregullsi.
Nxënësit arrijnë të kopjojnë, madje shpesh ndodh që testi të shpërndahet edhe nëpër rrjete sociale.
Në lidhje me parregullsitë në këtë proces të testimit, rezutatet dhe ndërmarrje nga organet kompetente, në një prononcim për GazetaBlic, drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, ka potencuar se besueshmëria tek rezultatet e këtij testi janë tejet të ulëta.
“Pothuajse çdo vit, testi i arritshmërisë, ashtu sikurse edhe i maturës, përcillen me parregullsi pasi testet dhe pyetjet shpërndahen nëpër rrjete sociale dhe në platforma të tjera në të cilat kanë qasje nxënësit. Krahas kësaj, kopjimi mes nxënësve është në përmasa masive ku shpeshherë edhe vet administratohet përfshihen duke toleruar, apo mundësuar kopjimin gjatë testimit. Gjithsesi, ka përjashtime nga kjo, duke qenë se në të gjitha hapësirat tolerohet, apo mundësohet kopjimi”, theksoi ai.
“Si rrjedhojë e kopjimit masiv, besueshmëria e rezultateve që dalin nga këto teste është tejet e ulët. Në fakt, shpeshherë me kundër efekt, pasi nxënësit e shkëlqyer barazohen ose në raste rezultojnë më dobët se nxënësit me nota të dobëta, përderisa këta të fundit aftësohen tutje për metoda të mashtrimit dhe kopjimit dhe krijojnë besim të rrejshëm mbi dijen dhe aftësitë përkatëse. Fundja edhe Zyra e Auditimit, ka gjetur se nxënësit me notë mesatare 2 kanë arritur që në teste të tilla kombëtare të dalin me rezultate kulminante”, vazhdoi Ahmeti nga Etea.
Sipas drejtorit ekzekutiv të organizatës ETEA, komisionerët që janë të angazhuar në testin e arritshmërisë ju mungon vullneti për të parandaluar kopjimet në klasa.
“Sa i përket përgatitjeve, mjafton që administratorët dhe komisionerët të jenë në krye të detyrës duke pamundësuar kopjimin në klasa. Fundja në një klasë nuk ka më shumë se 15 nxënës dhe është krejtësisht e lehtë të parandalohet kopjimi, thjesht nevojitet vullnet për të bërë një gjë të tillë”, tha tutje Ahmeti.
“Testet kombëtare duhet të shërbejnë si mekanizma llogaridhënës ndaj institucioneve qeverisëse të nivelit lokal dhe qëndror. Përderisa ka kopjim, ky qëllim nuk përmbushet dhe si i tillë mbetet vetëm një proces që i shkakton humbje buxhetit të shtetit dhe stres e ngarkesë të paarsyeshme fëmijëve. Prandaj, është e rëndësishme që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të krijojë kushte për mbarëvajtjen e këtij procesi, duke eliminuar dhe sanksionuar çfarëdo forme mashtrimi brenda ambienteve ku zhvillohet testi. Në të kundërt, si i tillë nuk ia vlen të mbahet”, potencoi ai.