Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë në seancën e djeshme miratoi emërimin e zyrtarit dhe deputetit të Partisë Progresive Serbe (SNS) Vladimir Orliq për drejtor të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), njoftoi Kabineti i Presidentit të Serbisë.
Në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, të cilën e kryesoi presidenti i atij vendi, Aleksandar Vuçiq, është diskutuar për situatën aktuale të sigurisë “me referencë të veçantë për situatën në Serbi”.
Vladimir Orliq ka qenë deputet i SNS-së në pushtet në Parlamentin serb për disa mandate, ndërsa nga viti 2022 deri në vitin 2024 ka qenë edhe kryetar i parlamentit serb.
Ai është i njohur për publikun në Serbi si bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit.
Aleksandar Vulin i danskionuar nga Amerika, ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të BIA-s dhe ka deklaruar se këtë e ka bërë pasi nuk ka dashur të jetë “rast për shantazhe dhe presione ndaj Serbisë dhe botës serbe”.
Në shpjegimin e vendimit për largim nga posti i drejtorit të BIA-s, Vulin deklaroi se BE-ja dhe SHBA-ja po kërkojnë “kokën e tij” dhe se ai po tërhiqet që të mos vendosen sanksione ndaj Serbisë.
Ndryshe, në muajin korrik të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Vulinit për përfshirje të dyshuar në krimin transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve, korrupsion dhe zgjerim të ndikimit rus në Ballkan.