Shtetet e Bashkuara do t’ia dërgojnë Ukrainës edhe një sistem tjetër kundërajror të llojit Patriot, thanë dy zyrtarë amerikanë të martën.
Uashingtoni i është përgjigjur lutjeve dëshpëruese të Kievit për ta ndihmuar me më shumë mbrojtje ajrore, pasi është duke u përballur me sulme të pareshtura ruse në rajonin e vet verilindor, Harkiv.
Zyrtarët thanë se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka dhënë pëlqimin për këtë vendim.
Ky do të jetë kundërajrori i dytë Patriot që Shtetet e Bashkuara ia dhurojnë Ukrainës, edhe pse Pentagoni i ka dhënë kohë pas kohe Kievit një numër të pazbuluar raketash për këtë sistem kundërajror.
Më 10 maj, forcat ruse e nisën një ofensivë të re në Harkiv – qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet rreth 34 kilometra larg kufirit rus. Analistët e kanë përshkruar ofensivën si tentim për të krijuar “zonë neutrale”, përmes së cilës mbrohet territori i Rusisë.
Kah mesi i majit, komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha se Rusia e ka zgjeruar ofensivën në një vijë prej 70 kilometrash, në përpjekje për të detyruar Ukrainën që t’i angazhojë edhe rezervistët, raporton rel.