Mijëra njerëz në mbarë botën vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit, por studime të ndryshme theksojnë rëndësinë e stimulimit të kujtesës dhe përmirësimin e funksioneve njohëse, për ta parandaluar atë.
Sipas studimeve në Danimarkë, shega është mjaft e këshillueshme për shëndetin dhe mirëqenien e trurit
Një substancë kundër Alzheimerit që gjendet te shega
Studiuesit danezë kanë zbuluar se një substancë te shega, mund të përmirësojë kujtesën duke eliminuar qelizat e dëmtuara, të cilat ndikojnë në rënien e aftësisë njohëse në sëmundjen e Alzheimerit. Vilhelm Bohr, profesor në “University of Copenhagen”, shpjegon se shumë njerëz me sëmundje neurodegjenerative vuajnë nga mosfunksionimi apo dëmtimi i disa qelizave në tru, gjë që çon edhe në funksione njohëse të dëmtuara.
Disa teste te minjtë treguan se urolithin A, një substancë që gjendet te shegët, mund të zbusë simptomat e Alzheimerit. Studiuesit publikuan gjetjet e tyre në revistën “Alzheimer’s Association”, duke theksuar: “Urolithin A lehtëson problemet e kujtesës dhe pasojat e tjera që prekin direkt trurin. Edhe pse është testuar në minj, perspektiva është pozitive edhe për njerëzit,” thotë studiuesi.
Shega: Një superfrut i mbushur me antioksidantë
Shega nuk është e mirë vetëm për trurin, por sjell plot përfitime të tjera shëndetësore. Ky superfrut, është i pasur me anti-oksidantë, vitamina dhe përbërës bioaktivë. Këto lëndë ushqyese ndihmojnë në zvogëlimin e stresit dhe inflamacionit, faktorë kyç në plakjen e trurit dhe sëmundjet neurodegjenerative.