Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A e rizbuloi Edi Rama rolin e ish-presidentit Rugova?

A e rizbuloi Edi Rama rolin e ish-presidentit Rugova?

Shkruan: Afrim Kasolli

Sipas një njoftimi për media sot kryeministri i shtetit shqiptar, Edi Rama do të marrë pjesë në një  konferencë të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, më temë “Rugova dhe Perëndimi”. Në sesionin e paradites me kumtesat e tyre në  këtë ngjarje do të  paraqiten po ashtu edhe Massimo D’Alema, ish-kryeministër i Italisë; Jeffrey Hovenier, ambasador i ShBA-së, në Prishtinë etj.

Megjithatë, pjesëmarrja  e kryeministrit Edi Rama në një simpozium ku flitet për rolin politik dhe historik të  ish-presidentit Rugova ka ngritur shumë  pikëpyetje dhe dilema. A është  kjo pjesëmarrje e kushtëzuar vetëm nga rivaliteti dhe armiqësia e tij momentale me kryeministrin Kurti?  Apo përpjekje për ta fituar mirëkuptimin e elektoratit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për drejtuesit dhe Partinë  Socialiste të Shqipërisë.

Siç dihet këto parti historikisht i ka karakterizuar një anomozitet i theksuar politik dhe historik. Madje edhe sa ishte gjallë presidenti Rugova, nuk kishte pranuar që ta bënte ndonjë  vizitë  zyrtare  në  Republikën e Shqipërisë , sa ishte kjo parti në pushtet.

Në  anën tjetër edhe Edi Rama në  fjalimin e mbajtur në  Kuvendin e  Kosovës në  vitin 2013 nuk e kishte përmendur fare ermin e Rugovës, para deputeteve të  Kuvendit të  Kosovës. Ky injorim apo harresë historike, kishte ngjallur atëbotë një reagim të ashpër nga deputetet e këtij subjekti politik. Deputetë të  kësaj partie e patën quajtur këtë fjalim përçarës, të mbushur me urrejtje dhe jo unifikues. Ndërkohë,  megjithë  vizitat e shpeshta që kryeministri Edi Rama ka bërë  në  Kosovë , ka munguar ndonjë vizitë  familjare në shtëpinë e ish-presidentit, për dallim nga vizita në shtëpinë e ish-presidentit Thaçi, ndonëse kjo fundit kuptohet lidhej me procesin e Hagës.

Prandaj, kjo kthesë e kryeministrit Rama me të  drejtë ka ngritur pyetjen se a është  kjo lëvizje rezultat i një ndërgjegjësimi dhe rizbulimi të Rugovës, apo vetëm një taktikë  politike e kushtëzuar nga rrethanat e momentit.  Por po ashtu, e njëjta dilemë ka të bëjë edhe me ftesën e organizatorit për Kryeministrin Edi Rama. Sepse jo shumë kohë me parë  Lumir Abdixhiku, e akuzonte kryetarin e qeverisë  shqiptare se dëshiron ta krijojë një mini-Jugosllavi me mikun e tij Aleksandër, por që tash nga i njëjti kërkon vlerësim perëndimor për figurën e Rugovës. A po si ai kualifikim paushall atëbotë edhe kjo ftesë sot është një kalkulim i pastër politik, sidomos kur edhe marrim parasysh faktin se jo më shumë se një javë më parë lideri i LDK-së, shprehej me gjuhë përçmuese për të majtën politike, pjesë e së cilës është edhe Edi Rama.

Powered by WordPress