Autoritetet palestineze raportojnë se ushtria izraelite vrau dhe plagosi më shumë se 200 persona gjatë operacionit të fundit të saj për lirimin e 4 pengjeve, duke kryer në këtë mënyrë një prej sulmeve më të përgjakshme që nga nisja e luftës 8 muaj më parë.
Operacioni i shpëtimit të pengjeve dhe sulme intensive ajrore u kryen në Al-Nuseirat të Gazës qendrore, një zonë me ndërtime të dendura.
Ushtria izraelite liroi këtë të shtunë Noa Argamanin, 25 vjeç, Almog Meir Janin, 21 vjeç, Andrey Kozlovin, 27 vjeç, dhe Shlomi Zivin, 40 vjeç. Ata u dërguan me helikopter për kontrolle mjekësore më pas u takuan me të afërmit e tyre pas 246 ditësh.
Një ekip amerikan i specializuar për lirimin e pengjeve ofroi mbështetje gjatë operacionit të shpëtimit, sipas një zyrtari të administratës amerikane, i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte dhe kërkoi të mos identifikohej.
Pas tetë muajsh lufte shkatërruese në Gaza të nxitur nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, 116 nga rreth 250 pengjet e rrëmbyer nga militantët janë lënë në enklavën palestineze, sipas të dhënave izraelite, të paktën 40 prej të cilëve janë deklaruar të vdekur në mungesë nga autoritetet.