Shërbimi Spitalor në nivel të Republikës që drejtohet nga Elvir Azizi, shoku i studimeve të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, është rrugës për të kurdisur së paku dy tenderë. Njërin për furnizim me barna të Listës Esenciale që planifikohen të shpenzohen 7.2 milionë euro e tjetrin për të blerë karroca e ku planifikohen që të shpenzohen edhe 6.5 milionë të tjera. OShP-ja madje në njërin rast ka alarmuar se ShSKUK-ja po e rrezikon buxhetin e po rrezikon që të blej produkte jo-cilësore. Ky hulumtim zbardh detaje të prapaskenave për këta tenderë.
7.2 milionë euro është thirrja që ka bërë Shërbimi Spitalor Klinik i Kosovës (ShSKUK) për të blerë barna nga Lista Esenciale- një tender që e shpalli në fund të shkurtit të këtij viti.
Një vendim i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) është nxjerrë për këtë tender, por ankesë tjetër është bërë përsëri- shkak kriteret që dyshohet se po e favorizojnë një firmë.
Nën dyshimin që po favorizohet një firmë është prolonguar edhe tenderi tjetër, ai për tenderin tjetër të shpalur kah fundi i marsit 2024, “furnizim me produkte për personat paraplegjik dhe tetraplegjik”.
Vlera e këtij tenderi është 6.5 milionë euro.
Në hulumtimi i gazetës “Insajderi” në dokumentet e këtyre dy tenderëve zbulon se SHSKUK-ja që drejtohet nga nga Elvir Azizi, shoku i studimeve të Ministrit të Shndetësisë, Arben Vitia dyshihet se poi i kurdisë së paku këta dy tënderë milionësh duke vendosur kërkesa e kritere që së paku ulin numrin e kompanive që mund të garojnë, e në një rast edhe gati sa nuk e përmendin se kush duhet ta fitojë tenderin.
ShSKUK dyshohet se ka vendosur kritere që i shkojnë në favor një kompanie në garë
Më 19 mars të këtij viti ShSKUK-ja e drejtuar nga Elvir Azizi shpalli tenderin për “furnizim me produkte për personat paraplegjik dhe tetraplegjik”, një punë që planifikon të shpenzoi së paku 6.5 milionë euro.
ShSKUK me anë të këtij tenderi planifikon që të blejë 4250 produkte profesionale të ndryshme për personat në nevojë (paraplegjik dhe tetraplegjik), pajisje dhe produkte këto të cilat do të dorëzohen tek shoqata “Handikos”, shoqatë kjo e cila ka kërkuar nga ShSKUK-ja që ta përshpejtoj procedurën e tenderit për shkak të nevojave te mëdha për pajisjet në fjalë.
Nga numri total i pajisjeve të kërkuara, pjesën me të rëndësishme dhe me specifike e përbejnë karrocat speciale dhe ato standarde te cilat janë të paraqitura në Dosjen e Tenderit.
Dyshimet, pas hulumtimit në dokumentet e tenderit dërgojnë në drejtim të kurdisjes së këtij tenderi, pasi që sidomos për pjesën e karrocave, ShSKUK-ja ka vendosur kritere që me shikim të produkteve në internet zbulojnë se po favorizohet një kompani.
Si fillim, sic ka gjetur edhe Eksperti Teknik i OShP-së, ShSKUK-ja kishte lënë afat shumë të shkurtër që kompanitë e interesuara për ta marrë këtë punë të sillnin mostrat e produkteve.
“…nevojën urgjente dhe kërkesën e shoqatës “Handikos” për tu pajisur me këto pajisje e shoh si të pa arsyeshme dhe të panevojshme për mos respektim të procedurave te parapara ligjore. AK (ShSKUK) përpos që ka shkurtuar kohën e dorëzimit të ofertave, ka kërkuar nga OE konkurrues që para dorëzimit të ofertave të i dërgojnë edhe mostrat”, thuhet në ekspertizë.
Tutje, eksperti teknik ka analizuar një sërë kërkesash të bëra nga ShSKUK-ja, dhe ka ardhur në përfundim se “produkteve të kërkuara në pozicionet 1 dhe 3 të cilat janë identike me produktet e prodhuesit të cekur në ankesë, e që sipas tij janë në kundërshti me Ligjin e Prokurimit.
Dyshimet e ngritura janë se ShSKUK-ja në tenderin 6.5 milionë euro për pajisje që do t’ia përcjell pastaj “Handikos”-it, ka bërë kërkesa që nëse kërkohen edhe përmes google, çojnë tek firma të caktuara- një dyshim serioz për favorizim që në nisje të tenderit në fjalë.
Kjo e ka shtyrë edhe ekspertin e OShP-së që të vijë në konstatimin se Paneli Shqyrtues të OSHP-së duhet që të sjellin vendim obligativ për SHSKUK-në për modifikimin e specifikimeve teknike të produkteve të cekura në ketë ekspertizë dhe sasive të parapara, “duke krijuar mundësi të barabarta për kompanitë në garë, ofertues potencial, për pjesëmarrje dhe ofertim në pajtim me LPP-në dhe aktet nënligjore që e rregullojnë këtë fushë”.
Në këtë dokument, në së paku 11 vende është përmendur fjala “favorizim” në forma të ndryshme të saj.
Eksperti tutje thotë se ShSKUK-ja duhet të bëjë modifikim e specifikave teknike duke shtuar tekstin siç janë: “Kërkesat minimale të lejuara, ekuivalente etj. me anë të të cilave dhe po ashtu edhe përmes kërkesave për sqarime (duke iu dhënë kohë të mjaftueshme OE për të parashtruar të njëjtat) të ofron mundësi konkurrimi të shumë kompanive”.
Tenderi 7.2 milionësh, OSHP-ja alarmon për rrezikim të buxhetit e produkte jo-cilësore
Nën dyshime të njëjta për kritere favorizues për dikë, e diskriminuese për dikë tjetër, është duke u përballur edhe projekti tjetër i ShSKUK-së për furnizim me barna të Listës Esenciale i shpallur më fund të shkurtit 2024 e që pritet të shpenzohen 7.2 milionë euro në të.
Në këtë tender një herë veçse ka vendosur OShP-ja, më datën me vendimin 2024/0204 të datës 18.04.2024, shkruan Gazeta Insajderi.
Në këtë vendim në së paku 19 vende është përmendur fjala “diskriminim”, e 8 herë fjala “favor” në forma të ndryshme të saj.
“Paneli konsideron se kërkesën e vendosur nga Autoriteti Kontraktues në Dosjen e Tenderit dhe në Njoftim për Kontratë lidhur me gjendjen ekonomike dhe financiare, ku thuhet se: “Operatori ekonomik duhet ti ofrojë dëshmi të kënaqshme Autoritetit Kontraktues se qarkullimi vjetor i Operatorit Ekonomik, gjatë tre viteve të fundit: 2021,2022,2023 është jo më pak se: Lot 1 – 6,000,000.00 Euro (Gjashtëmilion Euro) Lot 2 – 6,000,000.00 Euro (Gjashtëmilion Euro)” edhe pse kjo kërkesë sipas AK është brenda pragut të nenit 68, paragrafit 1 të LPP-së, por kjo dispozitë ka shpjeguar për të përcaktuar vetëm kufirin apo vijën e fundit e cila nuk mund të kalohet, por asnjë herë nuk është vendosur që ajo kërkesë duhet të jetë gjithmonë e kërkuar maksimalisht nga autoritet kontraktues dhe e cila sipas panelit shqyrtues për këtë aktivitet mund të bie në kundërshtim në këtë rast me nenin 7 të LPP të sipër përmendura”.
Andaj, në bazë të sqarimit të ankuesit të paraqitur përmes pretendimit ankimore duke e pasur parasysh natyrën e kësaj kontrate me këtë vlerë aq të madhe dhe e cila është e rrallë, si dhe duke e pasur parasysh se nuk është kërkesë e vetme e përcaktuar në Dosje të Tenderit, por ka edhe kërkesa të tjera të cilat ndihmojnë në përzgjedhjen e kompanive profesionale dhe të qëndrueshme, atëherë, sikurse Eksperti Shqyrtues edhe Paneli Shqyrtues konsideron se një kërkesë e tillë është e lartë dhe kufizon konkurrencën dhe pjesëmarrjen e Operatorëve Ekonomik duke pasur parasysh natyrën e këtij aktiviteti të prokurimit.
“AK (ShSKUK) këtë kërkesë duhet ta ulë në masë të madhe, me qëllim që të rrit konkurrencën dhe mos ta dëmtoj buxhetin e Republikës së Kosovës, përndryshe nëse këtë nuk e bënë atëherë, kufizon konkurrencën dhe favorizon të tjerët të cilët pastaj mund të ofertojnë me çmime shumë të larta”, kishte vendosur OShP-ja kundër ShSKUK-së më 18 prill të këtij viti.
Por, hulumtimi në dokumentet e këtij tenderi ka gjetur që ShSKUk-ja, institucioni që drejtohet nga Elvir Azizi, shoku i studimeve të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, krejt çka ka ndryshuar është që nga kërkesa që kompanitë të kenë qarkullim 6 milionë euro, e ka zbritur në 5 milionë euro.
Edhe pse OShP-ja i kërkoi ShSKUK-së ndryshim të madh të kritereve, krejt cka ka bërë institucioni që drejtohet nga Azizi është që në një kriter të për qarkullimin financiar ka bërë ndryshim prej 0.18 përqind, derisa te te lista e kontratave ka bërë ndryshim vetëm prej 0.2 përqind.
Ndryshime këto që nuk e kalojnë as vlerën 1 përqind, e aq më pak kur vendimi i OShP-së ishte në këtë tender për furnizim me barna të Listës Esenciale të bëheshin ndryshime të mëdha në kritere për ti ikur favorizimit e diskriminimit, dhe që të kishin mundësi që të ofertonin më shumë firma private.
Më këtë, sipas dyshimeve që janë ngritur për këtë tender, ShSKUK-ja po synon që të favorizoi vetëm firmat e mëdha në vend, duke hequr nga gara firmat tjera.
“Si përfundim, duke qenë se ulja e kërkesave deri në një masë të madhe nuk përkon me ndryshimet e bëra sipërfaqësore nga AK, si e tillë kjo e fundit nuk ka respektuar vendimin nr. 2024/0204 dt:18.04.2024 të panelit shqyrtues në tersi. Për të cilat edhe në raportin e ekspertizës kam rekomanduar që “AK mund të mos kufizoj me vlera, ose të paktën të vendosë vlera të arsyeshme të qarkullimi nën 1% të vlerës së parashikuar, ndërsa sa i përket kërkesës 9.1& 9.1 konsideroj se AK duhet që të mos kufizoj vlerën, por të lejohet si kriter i hapur konform këshillës në udhëzues për prokurim publik, për faktin se kufizohet konkurrenca” Kur themi nën 1% nuk i bie nga 6 milion në 5 milion, por sipas vlerës së parashikuar të kontratës për tri lote, rezulton me vlerë përafërsisht deri 40 mijë euro”, thuhet në ekspertizën e dytë të bërë po për të njëjtin tender.
Eksperti i kësaj dosje thotë se SHSKUK-ja nga Paneli i OSHP-së edhe një herë duhet të obligohet që të të bëjë përmirësimet në dosje të tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim.
Ekspertja shqyrtuese sipas vlerësimit të saj, thotë që ShSKUK-ja duhet të bëjë këto ndryshime të dukshme “në mënyrë që të lejohet një konkurrencë më e gjerë duke përfshirë të gjitha bizneset (ulët, mesëm dhe i lartë) si dhe bizneset e reja.
“…lidhur me kërkesat e vendosura në DT pika 8.1&8.2 dhe kërkesa nr.5 pika 9.1& 9.2, ekspertja shqyrtuese konsideron se AK duhet vlerësuar këshillën në udhëzuesin për prokurim publik në mënyrë që të zgjerohet konkurrenca dhe oferta me çmimin më të lirë, sepse në rastin konkret kemi të bëjmë me furnizim, të cilat AK nuk i kufizon që të bëhen vetëm nga prodhuesi, por edhe nga personat e autorizuar nga prodhuesi, dileri i autorizuar ose përfaqësuesi i dilerit me dëshmi, prandaj këto kërkesa në DT, AK mund të mos i kufizoj me vlera, ose të paktën të vendosë vlera të arsyeshme të qarkullimi nën 1% të vlerës së parashikur, ndërsa sa i përket kërkesës 9.1& 9.1 konsideroj se AK duhet që të mos kufizoj vlerën, por të lejohet si kriter i hapur konform këshillës në Rrpp, për faktin se kufizohet konkurrenca”, thuhet në ekspertizë.
Vet Paneli i OShP-së në vendimin e parë për këtë tender kishte alarmuar edhe për diçka më shumë: që kriteret e vendosura nga ShSKUK-ja rrezikojnë buxhetin e shtetit, pasi që lënë në garë pak kompani, dhe ato të mëdha, që do të fortojnë me çmime të shtrenjta dhe thotë OShP-ja, me mundësi që edhe të sjellin produkte j-cilësore.
“…kufizon mundësinë që Autoriteti Kontraktues të ketë në dispozicion më shumë oferta dhe rrjedhimisht të zgjedh produkte sa më cilësore, dhe rrjedhimisht i mundësohet vetëm një operatori ekonomik me çmime shumë të shtrenjta dhe ndoshta më produkte jo cilësore të jetë i suksesshëm në ; këtë aktivitet të prokurimit dhe kjo ndodhë pikërisht për faktin se me këtë kriter do të ketë shumë pak oferta të dorëzuara”, thuhet në vendimin e OShP-së.