Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Çfarë po ndodh me rastet e shqiptarëve të arrestuar në Serbi për krime lufte?

Çfarë po ndodh me rastet e shqiptarëve të arrestuar në Serbi për krime lufte?

Katër shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

Për autoritetet e Kosovës, ndalimet nën dyshime të tilla në Serbi janë arbitrare dhe të padrejta. Ato kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Por, në Strategjinë Kombëtare të Serbisë për ndjekje të krimeve të luftës, 2021-2026, shteti serb pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Në të përmendet se Zyra e Prokurorit për Krime Lufte ka krijuar grupe të përpunuesve të të dhënave sipas parimit territorial, “pra duke ndjekur lidhjet e rasteve me vendin ku është kryer vepra penale – në Bosnje e Hercegovinë, në Republikën e Kroacisë, në Kosovë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.Si u ndaluan shtetasit e Kosovës?

• Nezir Mehmetaj u arrestua më 2020 në Merdare – njërën prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Ndaj tij nuk është marrë ende ndonjë vendim, pavarësisht dhjetëra seancave të zhvilluara.

Vëllai i tij, Agron Mehmetaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka rrezikuar asnjëherë që ta vizitojë atë në Serbi, pasi nuk ka besim tek autoritetet atje.

“Se kanë fakte e kanë dëshmi… ajo nuk është aspak e vërtetë, këtë e dinë të gjithë”, ka thënë Agron Mehmetaj, duke treguar se vëllai i tij nuk është mirë me shëndet, pasi ka probleme me diabetin.

• Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u ndalua, po ashtu, në Merdare, në janarin e vitit 2024.

Avokati i tij, Xhevdet Smakiqi, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se ndalimi i Dakajt është kryer mbi baza politike dhe se ekzistojnë gabime faktike.

“Prokuroria nuk ka identifikuar se kë po e kërkon dhe nuk munden as dëshmitarët, të cilët Prokuroria pretendon se do ta identifikojnë një person prej kur ka qenë 19 vjeç, e tani është rreth 50 vjeç”, ka thënë avokati.

• Sadik Duraku u ndalua më 17 prill të këtij viti, në një pikë kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë. Atij i është vazhduar së voni masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.

Vëllai i tij, Avdyl Duraku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat ndaj Sadik Durakut janë të fabrikuara.

Edhe ai ka thënë se vëllai i tij nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, pasi ka probleme me zemër:“Shpresoj të dalë gjallë, ky është halli im”.