Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Përçarja e Guxo-s: Zv/ministri e shpërfill presidenten, Kurtin e krahason me Messin

Përçarja e Guxo-s: Zv/ministri e shpërfill presidenten, Kurtin e krahason me Messin

Një vrojtim i shpejtë në profilin e Blerim Gashanit në Facebook dhe rrjeti social i tij ngjan më shumë me profilin e Donika Gërvallës, sesa me atë të zëvendësministrit të Brendshëm.

Numri dy i Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtar i partisë Guxo, ka javë që nuk publikon asgjë që ndërlidhet me presidenten Vjosa Osmani, ish-shefen e partisë që e kishte afruar atë t’i bashkohej Guxo-s rreth katër vjet më parë.

Përkundrazi, aktiviteti i Gashanit paraqet një tjetër sinjal për prishjen e raporteve mes presidentes Osmani dhe figurave që sot e udhëheqin partinë Guxo e që janë pjesë e kabinetit qeverisës.

Gashani, hiq më larg se para një dite, e krahasoi shefin e tij në qeveri, kryeministrin Albin Kurti me superyllin e futbollit, argjentinasin Lionel Messi. Këtë e bëri derisa publikoi edhe fotografitë e darkës së kryeministrit me shkrimtarin me famë botërore, turkun Orhan Pamuk.

“Çfarë dite e mirë sot, për t’ua përkujtuar një punë klasës së politikanëve që ndër synimet e larta kishin takimin me Vandamin (J C Van Damme)”, tha fillimisht me ironi zv/ministri Gashani.

Pastaj, ai filloi me një histori të Messit me brazilianin Neymar. Aty e ndërlidhi edhe Kurtin, të cilin e krahasonte me futbollistin që konsiderohet të jetë më i miri i të gjitha kohërave.

“Kur e pyetën Thierry Henry-n nëse mendonte se Neymar braktisi Barcelonën për të ikur nga hija e Messi-t, francezi spirituoz ishte përgjigjur: – Hija e Messi-t do ta ndjek Neymar-in edhe në PSG. Nëse Neymar do të hiqet nga hija e tij, duhet ta ndërrojë sportin”, vazhdon shkrimi i Gashanit të mërkurën.

Në fund, derisa lartësoi figurën e Kurtit, Gashani ua dërgoi një mesazh klasës politike.

“Prandaj, qetësohuni ose ndërrojeni sportin! Sa më herët, aq më mirë”, përfundoi Gashani.