Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Helmimi i qenve në Prishtinë, ngordhin tre prej tyre – Zëdhënësi i AUV-it flet për Arbëria TV

Helmimi i qenve në Prishtinë, ngordhin tre prej tyre – Zëdhënësi i AUV-it flet për Arbëria TV

Dje u raportua se janë helmuar disa qenë në Prishtinë, me ç’rast në vendin e ngjarjes dolën edhe njësitet policore, shkruan Arbëria TV.

Si pasojë e kësaj, tre qenë enkacakë kanë ngordhur.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me datë 03.06.2024 ka pranuar informatën se në lagjen 4 Llullat Prishtinë ka ngordhje të qenve nën dyshimin helmim. Menjëherë kemi dërguar ekipin inspektues veterinarë të cilët kanë konstatuar gjendjen faktike në rast. Aty janë gjetur 3 qenë endacakë të ngordhur. Ndërsa një qen me pronar i ngordhur ishte larguar nga vendi nga vetë pronari sipas raportit të policisë. Nga 3 qentë endacakë të ngordhur njeri ka qenë me numër identifikues, gjë qe nënkupton se ka qenë i trajtuar sipas projektit të kastrim sterilizimit”, potencoi ai për Arbëria TV.

Thaçi tregoi edhe disa nga shenjat që e verifikojnë faktin se qentë në fjalë kanë qenë të helmuar.

“Nga shenjat klinike të qenve të ngordhur janë vërejtur shkumëzime nga goja dhe të vjellura, shenja klinike këto të cilat ngrisin dyshime të bazuar se qentë kanë qenë të helmuar. Po ashtu edhe insektet në kontakt me produktin ishin të ngordhura gjë qe e vërteton dyshimin për helmim”, shtoi tutje zëdhënësi i AUV-it.

Mes tjerash, ai bëri të ditur se inspektorët kanë urdhëruar menjëherë largimin e qenve dhe asgjësimin e tyre në vend lokacionin për asgjësim të përcaktuar nga komuna.

Ky rast është duke u hetuar nga Policia e Kosovës, derisa arsyet që çuan deri tek helmimi i qenve ende nuk dihen.

Në lidhje me këtë rast, që nga dje kanë reaguar një numër i konsiderueshëm i njerzve dhe organizatave joqeveritare./Arbëria TV/

Powered by WordPress