Sipas burimeve të TV Arbëria është tërhequr nga gara Gjyljeta Mushkolaj për rektore në Universitetin e Prishtinës, kandidatja e cila nuk ka asnjë punim shkencor.
TV Arbëria para pak ditësh e ka publikuar një hulumtim, rreth konkursit të Universitetit të Prishtinës për zgjedhjen e rektorit, hulumtim i cili vërteton se kandidatët që kanë aplikuar për rektor nuk i plotësojnë të gjitha kushtet për këtë pozitë.
Sefer Avdiaj, Isak Shabani, But Dedaj, Faton Berisha dhe Gjyljeta Mushkolaj kanë qenë pesë kandidatët që kanë aplikuar në pozitën e UP-së, e që TV Arbëria ka raportuar se Gjyljeta Mushkolaj profesoreshë në UP, nuk e plotëson kriterin e kërkimeve shkencore.
Pas këtij hulumtimi të publikuar, sipas burimeve të TV Arbëria Gjyljeta Mushkolaj është tërhequr nga gara për rektore të Universitetit të Prishtinës.
Kjo as një javë nga raportimi i Televizionit Arbëria për mungesën e punimeve, kriter ky kryesor në konkurs.
Arsyetimi i Gjyljeta Mushkolaj është se ka pranuar ftesën nga Universiteti i Chicago-s, që të bëhet pjesë e një ekipi ndërkombëtar të kërkimeve shkencore për lirinë e fesë dhe të besimit, dhe për këtë është tërhequr nga gara në UP.
Aktualisht në garë kanë mbetur dhe katër kandidatë të tjerë Sefer Avdiaj, Isak Shabani, But Dedaj, Faton Berisha.
Këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës, para tre javësh (7 maj 2024) ka hapur një konkurs për rektor të ri në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, konkursi ka qenë i hapur deri më 21 maj. /TV Arbëria