Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kryeministri Kurti takoi ministrin turk të Tregtisë, ja për çfarë u diskutua

Kryeministri Kurti takoi ministrin turk të Tregtisë, ja për çfarë u diskutua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ministrin e tregtisë së Republikës së Turqisë, Ömer Bolat, shkruan Arbëria TV.

Në takim është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe tregtare, me ç’rast janë trajtuar mundësitë dhe hapat e mundshëm përpara për thellimin e mëtejmë të tyre dhe rritjen e investimeve të dyanshme.

“Kryeministri Kurti, që ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, Shefi i Stafit, Luan Dalipi, dhe zëvendësministri i Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mentor Arifaj, falënderoi ministrin Bolat dhe shtetin turk për mikpritjen përgjatë gjithë vizitës së tij dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që ka përshkruar etapa të ndryshme, nga çlirimi deri te shpallja e pavarësisë dhe rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti.

Në Stamboll sot po mbahet Forumi i parë Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Përveç kryeministrit Kurti, aty po marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë nga kabineti qeveritar, në mesin e tyre, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku./Arbëria TV/