Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, ka thënë se partitë opozitare duhet të përbashkohen për ta rrëzuar Albin Kurtin, sepse Kurti vetë nuk heq dorë nga privilegjet e xhipat e zi, “edhe sikur zvarrë ta tërheqin nga Zyra e Kryeministrit”.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka paralajmëruar se Aleanca do të organizohet në ditët në vazhdim për të punuar e pyetur qytetarët e Kosovës rreth “punës” mbi trevjeçare të Qeverisë Kurti dhe ka radhitur cilat do të jenë ato pyetje.
Postimi i plotë:
Tash kur po dihet që vetëm dorëheqja është opsion për zgjedhje të parakohshme, e kjo dihet që nuk ndodh, sepse Kurtin edhe zvarrë me tërheq nga Zyra e Kryeministrisë, ai nuk hjek dorë nga privilegjet e shumta e nga xhipat e zi që dikur i ‘urrente’.
Në këto muaj, opozita duhet të përbashkohet ndërsa ne si Aleancë kemi për të punuar e pyetur qytetarët e Kosovës:
- A jeni duke jetuar më mirë se para tri viteve?
- Çka ka ndryshuar në jetën tuaj në sektorin e shëndetësisë, a e keni Ligjin e Sigurimit Shëndetësor?
- Çka ka ndryshuar në sektorin e arsimit?
- Çka ka ndryshuar te policët e Kosovës, te shërbyesit civilë?
- Çka ka ndryshuar në ekonomi?
- A e keni jetën më të mirë apo është vështirësuar për shkak të pagës së ulët dhe çmimeve të larta?
- Jeta juaj a është bërë më e sigurt apo e pasigurt për shkak të eksperimentimit të qeverisë në aspektin e sigurisë?
- Marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në dhe Unionin Evropian a janë më të mira se para tri viteve?
- Çka u thotë qytetarëve të Podujevës për rrugën, të cilët bëjnë dy orë rrugë derisa të shkojnë nga Prishtina në Podujevë?
- Çka u thotë qytetarëve të Gjakovës, të Gjilanit, të Mitrovicës?
Suksesin kryesor të opozitës në muajt në vijim e shoh atëherë kur ajo e detyron qeverinë të përgjigjet në këto pyetje dhe nuk merret me njëri tjetrin.
Ne si parti do të shtrojmë pyetje e do ti ofrojmë alternativat. Aleanca i ka alternativat, do ti shihni e do ti debatojmë tani e tutje!