Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kupina i reagon ashpër Zyberajt: Presidentja Osmani nuk ka negociuar asnjëherë dhe asgjë në dëm të Kosovës!

Kupina i reagon ashpër Zyberajt: Presidentja Osmani nuk ka negociuar asnjëherë dhe asgjë në dëm të Kosovës!

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, i ka reaguar ashpër këshilltarit të Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, pasi ky i fundit deklaroi gjatë ditës së sotme se ka qenë Osmani e Kurti ata që kanë negociuar që terroristët e Banjskës të largohen pa një ‘therrë në këmbë ’Kupina tha se presidentja Osmani nuk ka negociuar asnjëherë dhe asgjë në dëm të Kosovës e aq më pak lirimin e terroristëve dhe paramilitarëve serb.

“Jetlir Zyberaj Presidentja nuk ka negociuar asnjëherë dhe asgjë në dëm të Kosovës e aq më pak lirimin e terroristëve dhe paramilitarëve serb, të cilët kanë kryer akt agresioni ngaj Republikës sonë dhe e kanë vra heroin Afrim Bunjaku. Shpërndarja e propagandës serbe (specialitet i Jetlirit dhe shefit të tij), rrezikon interesat e shtetit tonë dhe sigurinë kombëtare, rrezikon jetën e policëve të tjerë, të cilët çdo ditë po mbrojnë kufijtë e Kosovës si dhe tenton ta njollosë sakrificën sublime të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku” shkruan Kupina në Facebook.

Kupina tutje paralajmëroi se Osmani do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj kësaj deklarate të Zyberajt.

Reagimi i Zyberajt erdhi pas një takimi të presidentes, Vjosa Osmani, me djalin e heroit Afrim Bunjaku, që u vra në sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë.