Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Brezovica 1”, ekspertja thotë se në terren ka parë që muret janë të larguara nga shtrati e rrjedhës ujore

“Brezovica 1”, ekspertja thotë se në terren ka parë që muret janë të larguara nga shtrati e rrjedhës ujore

Ferizaj- Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në gjykimin ndaj të akuzuarit në rastin “Brezovica 1”, Gentjan Sula, për të cilin është veçuar procedura prej të akuzuarve tjerë, u dëgjua ekspertja Blerina Bajraktari, e cila tha se në terren ka parë se muret janë të larguara nga shtrati e rrjedhës ujore.

I akuzuari Sula akuzohet se ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica” në zonën e Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, për çka ngarkohet me veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ekspertja Bajraktari, e licensuar për vlerësimin e ndikimit mjedisor, tha se ka poseduar shkresat e lëndës për këtë rast, po ashtu lejet ndërtimore dhe ka bërë vizita në terren.

“Në çështjen konkrete kam qenë bashkëhartuese e kësaj ekspertize, jemi bazuar në Lligjin e ujërave 04L-147 dhe udhëzimin administrativ 05/2015”, tha ekspertja Bajraktari

Ekspertja Bajraktari tha se matjet gjeodezike i bën Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

“Kam vërejtur në aktakuzë një objekt që është ndërtuar në pronën ujore pjesërisht, por nuk mund ta di pa matje gjeodezike”, tha ekspertja.

E pyetur se përse nuk lejohet ndërtimi në pronën ujore pa leje të veçantë, ekspertja Bajraktari tha për shkak të ndryshimit të rrjedhës së lumit që mund të shkaktojë dhe për shkak të ndotjes që mund të ndodhë në ujëra.

“Sa kam pa në terren, muret janë të larguara nga shtrati i rrjedhës ujore, me leje mjedisore ujore që e ka pas investitori është paraparë vendosja e mureve”, tha ajo.

Sipas saj, pëlqimi ujor i dhënë ka dy variante.

“Pika 1 thotë: pëlqimi ujor është dhënë në bazë të dokumentacionit investivo-teknik ku ka qenë projekti i urës dhe mureve mbrojtëse, ndërsa pika dy thotë që pëlqimi ujor vlen vetëm për ndërtimin e pjesëve përbërëse të konstruksionit të urës, nga kjo ka mund të ketë edhe keqkuptime të ketë apo jo ndërtim të mureve”, sqaroi Bajraktari.

Ajo tha se pa matje gjeodezike nuk mund të përcaktohen saktë pikat se a janë këto mure brenda apo jashtë pronës ujore.

Gjykatësi Ilir Bytyqi, më 16 gusht 2023 kishte njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) se mbrojtësi i të akuzuarit Sula, avokati Editon Osmani, i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të mbahet seancë virtuale për shkak të gjendjes shëndetësore të të njëjtit, dhe duke iu referuar dispozitës 281 paragrafit 3, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Andaj, KGJK mori vendim në bazë të së cilit ka lejuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor përmes platformës virtuale, në çështjen penale PKR.nr.160/2020, në Gjykatën Themelore Ferizaj.

“Autorizohet Gjykata Themelore në Ferizaj, të ndërmerr të gjitha veprimet per realizimin e shqyrtimit gjyqësor përmes platformës virtuale duke mundësuar pamjet vizuale dhe dëgjimin e zërit”, thuhej në vendimin e KGJK-së.

Kryetari i trupit gjykues Ilir Bytyqi më 6 shtator 2023  kishte marrë aktvendim në bazë të së cilit është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Gentjan Sulo.

Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.

Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Kurse, më 5 shkurt 2024, i akuzuari Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. Ndaj tij, në seancën e mbajtur më 6 shtator 2023, ishte veçuar procedura.

Ndërsa, në seancën e mbajtur më 6 shkurt 2024, i akuzuari Riad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Më 15 shkurt 2024, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Andaj, gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve.

Për tre të akuzuarit Mlosavljeviq, Bajrami dhe Vitija, të cilët po gjykohen ndaras nga Sula, prokurori i rastit Rasim Maloku, në seancën e mbajtur po këtë ditë (31 maj 2024), ka bërë ndryshimin e aktakuzës.

Sipas aktakuzës fillestare të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dimitrije Reciceviq akuzohej se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si person zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, në atë mënyrë që ka lëshuar të paktën 20 leje ndërtimi në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, ku ndërtimi është rreptësisht i ndaluar, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar Sharri.

Gjithashtu thuhet se ka lëshuar leje ndërtimore në zonën e tretë, për objektet hoteliere “Rezonanca”, “Rimida” dhe “Arena”, si dhe për vikend-shtëpiza për personat fizikë Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat ndërtime kanë degraduar ambientin në këtë zonë turistike si dhe kanë dëmtuar ujërat e Lumit “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dizpozitivit të dytë të aktakuzës, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami akuzohen se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si persona zyrtarë-inspektorë komunalë të ndërtimit, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimin për ndalimin e ndërtimit në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, të 6 objekteve vikend-shtëpiza të pronarit Riad Hasani, për të cilat objekte ishin anuluar lejet e ndërtimit nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës.

Aktakuza thotë se ata nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e ndërtimit në zonën e tretë të Parkut të objektit vikend-shtëpizë të Sanije Gecit e cila kishte tejkaluar lejen ndërtimore, si dhe ka ndërtuar një pjesë të objektit mbi lumin “Murzhica” si dhe të aneks-objektit të Dalibor Trifunoviqit, i cili kishte ndërtuar pa leje ndërtimore, të cilat ndërtime janë në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat në Kosovë, të cilat kanë degraduar mjedisin dhe kanë dëmtuar ujërat e lumit “Murzhica”.

Me këtë, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, Gentjan Sula akuzohet se nga viti 2012, në zonë turistike të Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”, në atë mënyrë që ka kontraktuar kryesit e punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, ndërtimin e 22 vikend-shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin mbi Pyjet, si dhe të objektit hotelier disakatësh – 2B+p+2+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” kapitulli V, si dhe të Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke ndërtuar në afërsi dhe mbi lumin “Murzhica”, me çka është degraduar ambienti në këtë pjesë të parkut si dhe është dëmtuar lumi “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Naser Kelmendi akuzohej se nga viti 2014, në zonën turistike te Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person përgjegjës i ndërmarrjes “Nic Holding” dhe parcelave kadastrale nr.6818/26, 6419/35, 6380/1, 6962/1, 6419/20 dhe 6419/34 ZK Verbeshticë, ka ndërtuar objekte banesore vikend-shtëpiza, si fshat turistik, pa pëlqim mjedisor dhe pëlqim të ujërave në afërsi të lumit “Murzhica”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe të Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke dëmtuar drunjtë, tokën dhe ujin, të cilat vikend shtëpiza pastaj ia ka shitur personave fizikë.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Arian Idrizaj akuzohej se nga fundi i vitit 2010, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, në ngastrën kadastrale numër 6382/2 ZK Shtërpcë, e cila gjendet në zonën e tretë të Parkut, përmes firmës ndërtimore PRO ARK, ka filluar ndërtimin e objektit afarist, duke vazhduar me aneks ndërtimin në vitin 2011 si dhe mbindërtimin në vitin 2014, duke ndërtuar objektin shumëkatësh 2B+P+4+NK, pa pëlqimin e MMPH-së për vlerësimin e ndikimit një mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, duke dëmtuar drunjtë dhe tokën, në kundërshtim me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Tutje, Labinot Vitija akuzohet se nga viti 2012, në zonën turistike të Parkut Kombëtar Sharri në Brezovicë, ka degraduar mjedisin, duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5713/6, ka ndërtuar 5 vikend-shtëpiza në zonën e dytë dhe të tretë të parkut, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe një objekt hotelier WOODLAND disa katësh, pa leje ndërtimi, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Fatmir Grainca akuzohej nga Prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Blerim Imeri akuzohej se nga viti 2016, në zonën turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, ka kontraktuar ndërtimin e disa vikend-shtëpizave me ndërmarrjen ndërtimore “Quka – CO”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat vikend-shtëpiza ia ka shitur personave fizikë.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Sanije Geci akuzohej në fillim të vitit 2016, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronare e parcelës kadastrale nr.5799/16 dhe 5799/17, ka filluar ndërtimin e objektit banesor – vikend shtëpizë B+P+1+NK, me sipërfaqe prej 835.14 m2 , kurse gjatë ndërtimit ka ndërruar destinimin e objektit në objekt hotelier “Kaona Hotel”, duke ndërtuar pa leje aneks objekt, në afërsi të lumit “Murrzhica” në distancë 1.90 m.

Kurse, thuhet se një pjesë e objektit në pronën ujore prej 2,95 m, me një sipërfaqe të përgjithshme të objektit prej 1821.56 m2, i cili ndërtim është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ajo akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e fundit të aktakuzës, Riad Hasani akuzohet se nga 24 korriku 2017 e deri në fund të vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale nr.5713 në sipërfaqe prej 1 hektar e 32 m2 , përmes firmës ndërtimore “Quka CO” ka ndërtuar 6 vikend shtëpiza në zonën e dytë të parkut edhe pse lejet ndërtimore ishin anuluar sipas vendimit të Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës, të 24 korrikut 2017, si dhe ka ndërtuar objektin afarist – hotelier “Rimida” – B+P+4+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347 par.1 lidhur me par.5 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.