Shkruan: Afrim Kasolli
Ish-presidenti i SHBA-ve dhe kandidati aktual i Partisë Republikane për president për zgjedhjet e nëntorit, Donald Trump, është shpallur dje fajtor nga një gjykatë e Nju Jorkut, për 35 akuza që kanë të bëjnë me falsifikimin e të dhënave të biznesit të tij para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 më qëllim të fshehë pagesat e bëra për një aktore të pornografisë. Sipas mediave ndërkombëtare, ai bëhet ish presidenti i parë që dënohet për vepra penale. Po ashtu, mbetet i paqartë statusi i tij juridik tash e tutje për shkak të procedurave të komplikuara ligjore. Sipas mediumit Evropa e Lirë, dënimi do të varet nga disa faktorë, duke përfshirë historinë kriminale të Trumpit dhe për sa akuza është dënuar Trump. Brian Kalt, profesor i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe autor i Constitutional Cliffhangers: A Legal Guide For Presidents And Their Enemies, ka pohuar “se dënimi mund të variojë nga një gjobë ose me kusht deri në një afat deri në katër vjetësh burgim. Megjithatë, në rastet kur të pandehurit dënohen me burgim për një krim të tillë jo të dhunshëm – që nuk është normë në shtetin e Nju Jorkut – ata zakonisht marrin një vit ose më pak”.
Mirëpo, përtej këtij realiteti të komplikuar juridik, ka gjasa që Donald Trump edhe këtë zhvillim ta kthejë në favor politik. Pak pas shqiptimit të dënimit, ai e bëri atë që dinë ta bëjë më së miri çdo lider populsit, duke deklaruar se “ky ishte një gjyq i manipuluar, dhe se vendimi i vërtetë do të jepet më 6 nëntor nga populli. Ai e di se çfarë ka ndodhur dhe të grithë e dinë çfarë ndodhi këtu”. Pak a shumë në këtë mënyrë, u shpreh edhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson përmes një deklarate tha se kjo është “një ditë e turpshme për historinë e Amerikës” dhe “se ky gjyq paraqet një “proces tërësisht politik dhe jo ligjor”.
Mbase, është pikërisht kjo gjuhë gjithnjë e më agresive ndaj institucioneve juridike të cilat konsiderohen vitale në materializimin e sundimit të ligjit që është shndërruar në burim të përfitimeve politike për shumë liderë të kësaj natyre. Dhe ky sukses është edhe pasojë e asaj që kohë më parë, profesori i shkencave politike në Universitetin e Harvardit, Yascha Mounk, në librin e tij më të ri “Populli Vs. Demokracia” (People versus Democracy – Why Our Freedom is in Dangerand How to Save it), ka shkruar mbi antagonizmin gjithnjë e më të theksuar ndërmjet “vullnetit popullor”, në njërën anë, dhe “vlerave liberale”, në anën tjetër. Konfrontim ky, që Mounk e përshkruan si tension në mes të “demokracisë pa të drejta” dhe “ të drejtave pa demokraci”.
Në këtë kontekst, edhe Doald Trump, në vazhdimësi e ka ekspozuar vetën si mishërimi i vetëm dhe suprem i vullnetit popullor. Ndërkohë, të gjitha betejat ligjore me të cilat deri më tani është sfiduar i ka interpretuar si komplot, jo kundër tij personalisht, por kundër asaj që e përfaqëson ai si “vox populi”. Dhe nuk është që nuk ka pasur sukses me këtë “kryqëzatë”politike.
Kështu, kur i kishte humbur zgjedhjet para katër viteve, ai këtë rezultat nuk e kishte pranuar dhe të njëjtin e kishte quajtur si vjedhje të fitores së tij popullore, nuk kishte pranuar t’ia “dorëzonte” detyrën presidentit të sapo zgjedhur, sipas traditës së njohur amerikane, si dhe i kishte mobilizuar masat ta sulmonin Capitoll Hill-in, diçka e paprecedent në historinë politike të atij shteti. Po ashtu, gjatë kohës sa ka qëndruar në opozite edhe përballja me këto procese gjyqësore nuk ia kanë zbehur përkrahjen publike. Përkundrazi, Donald Trump-i e ka fituar aureolën mitike të një “feniksi” modern politik.
Në anën tjetër, sipas disa hulumtimeve të mëhershme të opinionit të bëra publike nga “Washington Post”, tri vjet pas sulmit mbi tempullin e demokracisë amerikane, republikanët janë gjithnjë e më solidar më ata që i vunë flakën ndërtesës, si dhe më të gatshëm për ta “amnistuar” ish- presidentin Trump, nga përgjegjësia sesa ishin në vitin kur kishte ndodhur ngjarja. Prandaj, sipas profesorit Anthony DiMaggio një faktor tjetër i rëndësishmen në retorikën e zotit Trump është mosbesimi gjithnjë e më i thellë ndaj disa institucioneve, si Kongresi, gjyqtarëve dhe disa mediave. Sipas tij, pretendimet e zotit Trump për komplot nga qeveria, media dhe sistemi juridik, vetëm sa i kanë nxitur më shumë mbështetës të tij të shpërfillin lajmet negative për ish-presidentin.
Rrjedhimisht, mobilizimi i masave mbi këtë narracion ka rrezik që edhe këtë dënim juridik, Donald Trump, ta përkthejë në sukses elektoral politik. /TVArbëria/