Deklarata e djeshme e presidentes së shtetit, Vjosa Osmanit, kundrejt pushtetit, për dërgimin e letrës në Këshillin e Evropës, rreth temës së Asociacionit, ishte mjaft e ashpër dhe ngriti shumë reagime në skenën politike në vend, raporton TV Arbëria.
Analisti i çështjeve politike në vend, Afrim Kasolli ka komentuar akuzat e Osmanit, ku thotë se pushteti i ka tradhtuar interesat shtetërore, e që sipas tij një gjë të tillë e ka bërë dhe vet presidentja.
“E vërteta është se një gjë të tillë e ka bërë edhe vet e para shtetit. Madje është zotuar publikisht, së bashku me ata që dje i sulmonte, para raportueses së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bokojanis. Prandaj, më shumë se sa për ta kritikuar këtë lëvizje të fundit të Qeverisë së Kosovës, e vërteta e këtij reagimi mund te jetë te sedra e saj e lënduar për injorimin që e ia ka bërë pushteti në këtë riafrimin të themelimit të Asociacionit. Pra ku më herët informohen eksponentë të shoqërisë civile në Gjermani sesa ajo si drejtuese e politikës së jashtme”, ka shkruar Kasolli.
Ai tutje thotë se kjo situatë bëri që të shihet vetmia politike e Vjosa Osmanit.
“Sidoqoftë, ky tension nxori në shesh edhe vetminë e saj politike. Askush nuk u tregua i guximshëm nga lista Guxo për t’u identifikuar me kritikën e saj. Dhe kjo është dëshmi e peshës së saj të papërfillshme politike.
Tashmë ajo e gëzon vetëm pozitën e të parës së shtetit, por pa pushtet real”, ka thënë Kasolli. /TV Arbëria