Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Rusia mund të ndezë tensionet në Ballkani dhe të krijojë luftë të re që Perëndimi të mos e ketë fokusin në Ukrainë.
Në një intervistë për “NatSec Daily”, Gërvalla paralajmëroi se ambiciet territoriale të presidentit rus Vladimir Putin nuk ndalen në kufirin ukrainas.
Sipas ministres, fitorja e Ukrainës kundër Rusisë do të siguronte stabilitet për një kohë të gjatë edhe në “Ballkanin e trazuar”.
“Strategjia e Putinit është të mbajë Perëndimin të hutuar me konflikte të ndryshme. Pra, një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia”, ka thënë ajo.
Kosova në veçanti është objektiv joshës për Putinin, siç thotë Gërvalla, sepse prosperiteti i vendit minon argumentin e tij se Perëndimi nuk mund të ndihmojë vendet e ish-bllokut lindor.