Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca duket se nuk i kanë raportet siç i kanë pasur në kohën kur dilnin së bashku në fushatë zgjedhore.
Letra e dërguar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Evropës, për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese, bëri që të ketë paknaqësi nga presidentja e vendit, pasi kjo e fundit nuk u informua për dërgimin e kësaj letre.
Rreth kësaj çështje kryetari i Kuvendit të Kosovës deklaroi se presidentja ka qenë jashtë vendit dhe për këtë nuk është informuar rreth dërgimit të letrës në Këshillin e Evropës.
Kësaj deklarate i është përgjigjur presidentja, Vjosa Osmani ku shprehet mjaft e ashpër ndaj ekzekutivit për mosinformim por dhe për përmbajtjen e letrës së dërguar në Këshillin e Evropës.
“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë, por do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtet deklaron diçka të tillë, sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë, pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kanë qenë pikërisht përmes telefonit, sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshuar në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajtur deri atë ditë; që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.
Për këtë situate dhe këto deklarata për TV Arbëria ka folur analisti politik, Fidan Ukaj ku ka thënë se tani mund të quhet ndarje zyrtare raporti mes Kurtit e Osmanit.
“Rrugën e ndarjës në mes të zotit Kurti dhe zonjës Osmani, tanimë mund ta quaj edhe ndarje zyrtare, dhe një ndarje që do të shkojë drejtë asaj perfundimtare, dhe një ndarje e tillë veq sa do të thellohet”, ka thënë analistit.
Sipas analistit prishja e raporteve mes Kurtit e Osmanit filloi kur SHBA e quajti Osmanin garantuese të raporteve SHBA-Kosovë.
“Xhelozia e Zotit Kurti në adresë të zonjës Osmani kur SHBA e qujti zonjën Osmani garantuese të raporteve SHBA-Kosovë, siç duket e ka pershfaqur edhe këtë perçarje që u shfaq edhe në opinion publik e që mendoj se do të thellohet nje ndarje e tille”, ka thënë Fidan Ukaj për TV Arbëria.
Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje ka formuar koalicion parazgjedhor me Listën Guxo, të themeluar nga Vjosa Osmani. /TV Arbëria