Shkruan: Afrim Kasolli
Pak ditë pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar Kosova në Këshill të Evropës, filloi zhurma e madhe politike e zgjedhjeve të parakohshme. Në të vërtetë e tëra nisi pak para takimit të Këshillit Ministror nga një darkë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi, me shefat e grupeve parlamentare.
Pas këtij takimi, ky i fundit deklaroi se ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme sa më shpejt që të jetë e mundur, qoftë edhe nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit dhe u shpreh më një gjuhë tërësisht butake në raport më mos anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Kurse i pari i Qeverisë së Kosovës deklaroi se është në gjendje ta marrë në konsideratë këtë dëshirë të opozitës, me kusht që ajo të ketë konsensus për këtë temë, sepse përndryshe pushteti është komod për ta vazhduar mandatin deri në fund. Mirëpo, një nismë e tillë u kundërshtua ashpër nga dy partitë tjera opozitare; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me argumentin se çdo opsion tjetër për zgjedhje pa dorëheqjen paraprake apo shkarkimin e kryeministrit, është vetëm në shërbim të këtij të fundit
Sidoqoftë, amplifikimi i skenarit të zgjedhjeve të parakohshme dhe përdorimi i saj si nga pushteti ashtu edhe opozita me qëllim të mbulimit të dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, duket të ketë qenë një interes taktik edhe i kësaj të fundi. Madje, thuajse të gjithë edhe nga kampi opozitar e filluan kërkimin e ethshëm të fajtorit se kush po i shërben më shumë Kurtit, se sa ta mbanin gjallë temën e parë dhe të kërkonin përgjegjësi nga Qeveria për këtë dështim diplomatik. Në çdo vend normal, kjo çështje nuk do të kalonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Por si duket është ky dështim që partitë opozitare më së paku kanë qenë të përgatitura për t’u ballafaquar më Kurtin. Madje, mbase në këtë drejtim janë plotësisht edhe brenda skemës së tij politike dhe janë të kapluara nga frika se antagonizmi në këtë temë do t’u kthehej në bumerang politik.
Arsyet pse Kosova ka dështuar në këtë agjende dihen nga të gjithë. Pasi vendi ynë i kaloi disa faza drejt anëtarësimit, shtetet e QUINT-it kërkuan procedimin draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të hartuar nga Bashkimi Evropian, si kusht paraprak për finalizimin e këtij projekti. Mirëpo, Kurti këtë kriter e cilësoi si shantazh dhe presion të padrejtë nga vendet aleate mbi Kosovën, të cilën ai nuk është në gjendje ta kapërdijë.
Ndërkohë, tashmë është e qartë se thuajse asnjë një proces sa i përket agjendës euro integruese nuk mund të ketë sukses pa plotësimin e këtij kushti. Dhe kështu opozita në këtë rast është e vetëdijshme se nuk ka projekt tjetër alternativ. Në këtë mënyrë ajo do të sfidohej nga Albin Kurti se a është apo nuk është për themelimin e Asociacionit, pavarësisht faktit se draft statuti aktual është produkt i negocimit të tij, mirëpo detyrimi për ta themeluar atë buron që nga viti 2013.
Dhe nga frika se mund të humb vota, ajo u pajtua për ta shmangur këtë temë. Me këtë rast, tema e zgjedhjeve të parakohshme u shndërrua në një “shpikje” magjike, si për ta shmangur presionin për vete në të ardhmen, ashtu edhe për ta amnistuar publikisht Albin Kurtin në të tashmen për këtë dështim./TVArbëria