Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Ambasadori gjerman për takimin Kurti – Sarrazin: Kishte diskutim të mirë dhe intensiv për Procesin e Berlinit

Ambasadori gjerman për takimin Kurti – Sarrazin: Kishte diskutim të mirë dhe intensiv për Procesin e Berlinit

Si diskutim të mirë dhe intensiv e cilësoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi të martën me të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ku në fokus të diskutimit ka qenë progresi në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në kuadër të Procesit të Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që sivjet do të mbahet në Berlin.

“Diskutim i mirë dhe intensiv për rrugën përpara në Procesin e Berlinit”, ka shkruar Rohde në platformën sociale, X, pas takimit Kurti – Sarrazin ku ishte i pranishëm edhe vetë ambasadori gjerman.

Për takimin në fjalë gjatë ditës u deklarua fillimisht Kurti, i cili theksoi se Procesi i Berlinit është platforma ku Kosova angazhohet për bashkëpunim rajon dhe integrim ekonomik.

“Progresi në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin, ishin temë e diskutimit. Kryeministri kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës”.

Kurti ndër të tjera theksoi se tregu i përbashkët rajonal dhe plani të ri ekonomik për Ballkanin Perëndimor paraqesin mundësi për zhvillimin e rajonit.

“Tregu i Përbashkët Rajonal i dalë nga Procesi i Berlinit së bashku me Planin e Rritjes janë mundësi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpejtimin e reformave për anëtarësim në BE. Republika e Kosovës është proaktive dhe kontribuese e këtij procesi të rëndësishëm”, theksoi shefi i qeverisë së Kosovës, derisa falënderoi diplomatin gjerman për angazhimin. /TEMA