Kryeparlamentari i Glauk Konjufca ka mirëpritur votimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Konjufca e ka quajtur vendim të shkëlqyer, avancimin e statusit për Kosovën në këtë organizatë.
“Vendim i shkëlqyer i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që Kuvendit të Republikës së Kosovës i jep statusin e anëtarit të asociuar në AP të NATO-s. Urime të gjithë qytetarëve tanë dhe mirënjohje të gjithë anëtarëve të AP të NATO-s, që me votën e tyre e jetësuan këtë arritje shumë të rëndësishme”, ka shkruar Konjufca.
Konjufca ka falënderuar edhe delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në AP të NATO-s.
“Përpjekja dhe angazhimi maksimal i këtij delegacioni u finalizua me këtë sukses të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë në tërësi. Republika e Kosovës është një histori suksesi e NATO-s, e interesave dhe qëllimeve të tij, ndërsa NATO është destinim i Kosovës. Hapat në këtë frymë na gëzojnë dhe na e shtojnë më tej përgjegjësinë dhe përkushtimin në drejtim të paqes dhe stabilitetit, vlerave dhe synimeve të përbashkëta”, ka shkruar Konjufca.