Komuna e Prishtinës i ka ndarë 110 mijë euro për Elzën Ujkani, motrën e deputetes së VV-së, Fjolla Ujkani e cila u lëndua rëndë për shkak të rënies së çatisë së Komunës së Re të Prishtinës.
Ujkani ka sqaruar se këto para që janë ndarë nuk janë kompensim, por që i duhen për ta vazhduar trajtimin.
Ajo tha se Elza Ujkanit do i nevojitet një operacion jashtë vendit.
“Për shkak të dëmit të pariparueshëm në pjesën e sipërme të kafkës, Elza duhet t’i nënshtrohet një operacioni plastik jashtë vendit. Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të mbuluar pjesën e dëmtuar dhe për të parandaluar komplikime të mëtejshme shëndetësore. Pa këtë operacion, Elza përballet me rreziqe serioze për shëndetin e saj, që përfshijnë infeksione të mundshme dhe dëmtime të tjera të përhershme. 110.000 eurot janë për këtë operacion. Për operacionin e ardhshëm të Elzes. Së pari, dua t’ju kujtoj të gjithëve se asnjë shumë parash nuk mund të kompensojë dhimbjen dhe vuajtjen që Elza ka kaluar dhe ende po kalon”, shkroi ajo