Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Hovenier: Po kërkojmë nga Kosova veç ta dërgojë në Kushtetuese draftin për Asociacionin – do ta respektojmë vendimin

Hovenier: Po kërkojmë nga Kosova veç ta dërgojë në Kushtetuese draftin për Asociacionin – do ta respektojmë vendimin

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe letrën e dërguar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, autoriteteve të BE-së ku në emër të qeverisë u zotua se draft-statuti i Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Hovenier tha se për aq sa e ka kuptuar, Gërvalla ka thënë se oferta, pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në KiE nuk është më relevante.

Ambasadori amerikan foli edhe për çështjen se cili draft i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese, ku tha se drafti i ofruar nga BE-ja ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme.

“Lidhur me pyetjen se cili draft dhe si dërgohet më tej, kjo është çështje e rëndësishme dhe padyshim që është një zgjedhje sovrane e qeverisë së Kosovës, se çfarë statuti zgjedh të hartojë dhe si e çfarë do të kërkojë të miratojë apo dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por do të them se drafti i ofruar nga Bashkimi Evropian, ky draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme”.

“Fillimisht ajo iu prezantua Kosovës nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, në emër të Bashkimit Evropian, por në praninë e zyrtarëve shumë të lartë nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – vende që do të dëshironit të mbështetnin Kosovën në aplikimin e saj për anëtarësim. Së dyti, Bashkimi Evropian si BE ka thënë se e miraton statutin. Pra, ju keni këtë draft statut që ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, Bashkimit Evropian, shteteve individuale anëtare të BE-së, i cili nuk është kundërshtuar nga Serbia. Të gjithë kemi thënë se ky draft i përmbush kërkesat”, tha Hovenier në një intervistë për RTK-në, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Hovenier tha se drafti i BE-së do t’i përmbushë kërkesat por sipas tij, ai është bërë në një mënyrë që respekton shqetësimet e identifikuara nga Qeveria e Kosovës, ku tha se “pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe”.

“Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe. Pajtohemi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv; nuk duhet të krijojë një shtresë të re të qeverisë; nuk duhet të pengojë funksionimin e mirë të shtetit kosovar dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën aktuale të Kosovës. Ky draft besojmë se i përmbush të gjitha këto”.

“Ka disa që argumentojnë se ky draft-statut duhet të përmirësohet ose ndoshta nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kjo është arsyeja pse e vetmja gjë që po kërkojmë nga Kosova të bëjë është që ta dërgojë atë tek ky organ, te organi i vetëm në planet që ka autoritetin dhe kompetencat aktuale për të përcaktuar nëse është në përputhje me Kushtetutën apo jo – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Kjo është ajo që po kërkojmë”, tha Hovenier, transmeton Klankosova.tv.

Hovenier garantoi se të gjithë akterët do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me draft-statutin e BE-së për Asociacionin, por tha se është e vështirë për ta kuptuar se pse Qeveria e Kosovës mund të dëshirojë ta shqyrtojë një draft tjetër.

“Të gjithë do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur parasysh të gjitha ato përparësi, është e vështirë për ne të kuptojmë përse qeveria mund të dëshirojë të shqyrtojë një draft tjetër që ndoshta nuk do të ofrojë të gjitha përparësitë që i përmenda më lart. Pra, shpresojmë në përpjekjet tona për ta parë Kosovën të përparojë në rrugën e saj evropiane, që qeveria të marrë parasysh këshillat tona”, tha ai.

Powered by WordPress